SHBA dhe aleatët, super-ushtrime ushtarake në Jordani

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë filluar ushtrimet ushtarake në Jordani, të cilat janë përshkruar si ushtrimet më të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme, në 10 vitet e fundit.
Gjenerali amerikan, Ken Tovo, tha për reporterët në Aman të Jordanisë, se ushtrimet do të fokusohen në trajnimin e trupave të Jordanisë dhe Arabisë Saudite, në trajtimin e refugjatëve, në taktikat anti-terror dhe zënien e anijeve kontrabanduese.
Ai gjithashtu u shpreh se ushtrimi me titull Energjia e Luanit 2012, nuk nënkuptohet si kërcënim për Sirinë fqinje, ku kryengritja është shndërruar në konflikt ushtarak në rritje.
Dhjetëra mijëra refugjatë sirianë kanë mbërritur në Jordani, Turqi dhe Liban.
Ushtrimet do të zgjasin së paku dy javë, ndërsa në to po marrin pjesë më shumë se 11 mijë ushtarë nga 19 vende, përfshirë Bahrejnin, Egjiptin, Irakun, Jordaninë, Arabinë Saudite, Libanin, Pakistanin dhe Katarin.