E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA do shkurtojë trupat ushtarake

Shtetet e Bashkuara do të shkurtojnë mijëra trupa ushtarake si pjesë e një plani për rishikimin e mbrojtjes, me qëllim për t`i bërë ballë shkurtimeve të buxhetit në dekadat e ardhshme.

Ndryshimet në fjalë, që do të publikohen më vonë gjatë së enjtes, ka të ngjarë që t`i japin fund politikës së vjetër të ruajtjes së forcave për të luftuar dy luftëra njëherësh.

Presidenti Barack Obama do të njoftojë planet bashkë me sekretarin e Mbrojtjes Leon Panetta në selinë e Pentagonit, që do të përballet me mbi 450 miliardë dollarë shkurtime në 10 vitet e ardhshme.

Ndërkohë, 500 miliardë dollarë të tjerë do të shkurtohen në vitin 2013, pasi komiteti kongresional dështoi në arritjen e kursimeve vitin e kaluar.

Pavarësisht kësaj, presidenti Obama, i cili ndodhet pranë zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, pritet të theksojë se buxheti ushtarak i Shteteve të Bashkuara po vazhdon të rritet, megjithëse me hapa më të ngadaltë.

Autoritetet amerikane janë përpjekur që masa e presidentit të duket si një masë e diskutuar, duke insistuar se çdo reduktim trupash do të bëhet në bazë të një plani strategjik të komandantëve ushtarakë.


Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›