E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA drejt dërgimit të armëve në Ukrainë, “Financial Times”: Trump pyeti Zelenskyn nëse mund të godiste Moskën

Gazeta e përditshme britanike “Financial Times” pretendon se presidenti amerikan, Donald Trump e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të shtojë sulmet më thellë në territorin rus. Sipas gazetës, Trump madje e ka pyetur Volodymyr Zelenskyn nëse mund të godiste Moskën nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi. Financial Times citon burime me dijeni për bisedën mes Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që pretendohet të jetë zhvilluar më 4 korrik.

Sipas gazetës, biseda u zhvillua një ditë pas një telefonate të tensionuar të Trump me presidentin rus Vladimir Putin, të cilën ai e përshkroi si “të keqe”.

Gjatë diskutimit me Zelenskyn, Trump thuhet se pyeti: “Volodimir, a mund ta godasësh Moskën?… A mund ta godasësh edhe Shën Petersburgun?”, duke shtuar se një strategji e tillë do t’i “bënte rusët të ndjenin dhimbjen” dhe do t’i detyronte në negociata.

Zelensky u përgjigj, sipas të njëjtave burime: “Absolutisht. Mundemi nëse na jepni armët.”

Gjatë një takimi në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte të hënën (14 korrik), Trump njoftoi një plan për t’i siguruar Ukrainës sisteme mbrojtëse ajrore Patriot dhe raketa interceptuese, por nuk zbuloi ndonjë dërgesë të sistemeve të tjera të armëve.

Presidenti amerikan tha se ishte “shumë i pakënaqur” me Rusinë dhe presidentin e saj për mungesën e përparimit drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës. “Jam i zhgënjyer me Presidentin Vladimir Putin sepse mendova se do të kishim një marrëveshje dy muaj më parë”, tha ai.

Dmitry Medvedev, ish-president rus dhe zëvendëskryetar i këshillit të sigurisë së Rusisë, i hodhi poshtë deklaratat e Trump. “Trump i dha një ultimatum teatral Kremlinit… Rusia nuk është e interesuar”, shkroi Medvedev në X.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›