Vijon vala e dorëheqjeve, në Bashkitë Selenicë, Vau i Dejës, Librazhd e Gramsh ikin nënkryetarë e administratorë

Valë dorëheqjesh në katër bashki të vendit, atë të Selenicës, Vaut të Dejës, Librazhdit e Gramshit.
Sipas informacioneve paraprake bëhet me dije se kanë dorëzuar dorëheqjen nga detyra kryetarët e njësive administrative të Bashkisë Selenicë, konkretisht të njësive Brataj, Kotë, Vllahinë, Armen dhe Sevaster.
Po ashtu, fill pas përfundimit të mbledhjes urgjente të thirrur këtë të martë (15 korrik) nga kryebashkiaku i Vaut të Dejës Kristian Shkreli, kanë dhënë dorëheqjen tre nënkryetarët, pesë administratorët dhe të gjithë drejtorët e drejtorive të këtij institucioni.
Dorëheqjet e sotme në dy bashkitë Selenicë e Vau i Dejës, janë në vazhdën e dorëheqjeve të dorëzuara ditët e fundit pas thirrjes së kryeministrit për shkarkimet në administratë.
Edhe Bashkia e Librazhdit ka njoftuar se administratorët e Njësive Administrative Qendër, Orenjë, Lunik, Steblevë dhe Hotolisht, si edhe nënkryetarët e Bashkisë, janw dorwhequr dorëheqjen nga detyra dhe pozicionet e tyre janë aktualisht vakante.
Vala e dorëheqjeve ka përfshirë edhe Bashkinë e Gramshit, ku 9 administratorë të njësive administrative, drejtorët e dy agjencive pranë bashkisë, të gjithë drejtorët e drejtorive bashkiake, të gjithë përgjegjësit e sektorëve, si edhe Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë kanë dorëzuar dorëheqjet.
Zyrtarët e dorëhequr, me përjashtim të administratorëve që janë larguar me miratim do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi për të përcaktuar më tej ecurinë e tyre në administratë. Ky hap vjen si pjesë e një reformimi më të gjerë në administratën lokale me synim rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë në shërbim të qytetarëve.
Një ditë më parë u dorëhoqën 7 administratorët në bashkinë Korçë dhe 3 në atë të Kolonjës. Sipas të njëjtave burime pritet të dorëzohen përpara kryebashkiakëve edhe dorëheqjet e administratorëve në bashkitë Maliq, Devoll e Pogradec, pasi janë në proces vlerësimi për të zbatuar kuadrin ligjor.
Edhe Bashkia Elbasan ka nisur shkarkimet e Drejtorëve dhe të Kryetarëve të Njësive Administrative. Mësohet se 18 kryetarë të njësive administrative të kësaj bashkie këtë të hënë i kanë paraqitur dorëheqjen kryetarit. Të parët që kanë paraqitur dorëheqjet janë ato të Agjencisë së Shërbimeve publike, drejtuesi i mirëmbajtjes dhe pastrimit urban, drejtuesi i mirëmbajtjes së infrastrukturës dhe ai i mjedisit.
/rtsh.al/