SHBA e BE kundër diskutimit në Kuvend të rastit “Kiçina”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të mos ndërhyjë në sistemin e drejtësisë. Përfaqësuesit e SHBA-së dhe të BE-së në Kosovë kanë thënë të martën për “Kohën Ditore” se janë të papranueshme tendencat për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Reagimet kanë ardhur një ditë pasi Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të premten të debatojë për rastin “Kiçina”. Nëse ndodh kjo, atëherë parulla “rasti Kiçina - trupi i EULEX-it” ka gjasa t’i përshtatet Kuvendit të Kosovës. Deputetët kosovarë pritet të diskutojnë për gjykimin dhe dënimin e Arsim e Burim Ramadanit dhe të Jeton e Arben Kiçinës më 106 vjet burgim për vrasjen e familjes Hajra nga Baica e Drenasit, përfshirë një foshnje tremuajshe në vitin 2001 në Drenas.
Të shqetësuara për diskutimin e mundshëm të këtij rasti gjyqësor në Kuvendin e Kosovës të premten, janë shprehur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasada amerikane në Prishtinë, në një deklaratë për “Kohën Ditore”, ka thënë se duhet lejuar të gjitha institucionet e Kosovës që të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente.
“Shtetet e Bashkuara i shohin me shqetësim veprimet e zyrtarëve komunalë apo të deputetëve të Kuvendit për rihapjen dhe diskutimin e vendimeve të gjykatës. Një veprim i tillë nuk kërcënon vetëm pavarësinë dhe integritetin e gjyqësisë së Kosovës, por edhe e minon sundimin e ligjit dhe respektin për vendimet e gjykatës”, thuhet në këtë deklaratë.
“SHBA-ja thërret autoritetet e Kosovës që të respektojnë kompetencat e autoriteteve të pavarura, veçanërisht gjykatat, në mënyrë që të jenë kredibile edhe për qytetarët e vet, edhe për bashkësinë ndërkombëtare”.
Ndërkaq përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë të martën për “Kohën Ditore” se BE-ja në vazhdimësi ka përsëritur faktin dhe përsërit që proceset gjyqësore duhet të jenë të lira nga ndërhyrjet politike. Ai ka thënë se duhet të ketë një ndasi të qartë mes kompetencave që ka gjyqësori, Qeveria dhe Kuvendi.
“Zyra e BE-së i njofton anëtarët e Parlamentit në lidhje me qëndrimet tona. Andaj, si të tilla, Zyra e BE-së/EUSR rekomandon që Kuvendi të mos angazhohet në veprime të cilat mund të interpretohen si përpjekje për të ndikuat apo për të hedhur poshtë vendime të gjykatave”, ka deklaruar Zbogar nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.
Kjo pikë e rendit të ditës është vendosur të hënën nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës. Pas diskutimit për tarifat e energjisë elektrike, deputetët do të diskutojnë edhe për rastin tashmë të njohur si rasti “Kiçina”.
E ideatori dhe mbledhësi i nënshkrimeve të 85 deputetëve, Ramiz Lladrovci i PDK-së po synon që shkeljet procedurave që nuk i ka konstatuar shkalla e tretë e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese t’i konstatojnë deputetët, një pjesë e të cilëve janë të dënuar për krime të ndryshme, janë të akuzuar dhe në procedura penale.
Deputeti Lladrovci, i cili një kohë ka qenë pjesë e AAK-së, ka thënë të martën se Kuvendi ka të drejtë të diskutojë për çështjen e shkeljes së të drejtave të njeriut. Ai e ka mbrojtur iniciativën e tij duke përjashtuar mundësinë e përzierjes së legjislativit në punët e gjyqësorit.
“Nuk dua të flas para debatit që do të mbahet të premten”, ka thënë ai./Indeksonline/