E Shtunë, 31 Tetor 2026

UP paralajmëron rritje të stafit akademik

Konkursi për zgjedhjen e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës (UP), i publikuar në maj të vitit të kaluar nuk është përmbyllur ende. Ndonëse UP ka marrë kritika në vazhdimësi nga Agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK) se numri i profesorëve është në shpërputhje me numrin e studentëve dhe se ky raport duhet jetë sipas standardeve, çështja e zgjedhjes së stafit akademik është zvarritur.

Dy semestra janë humbur që nga shpallja e konkursit për zgjedhje të stafit akademik, pa u plotësuar numri i profesorëve të kërkuar me konkurs. Megjithëse, këtë e mohojnë përfaqësues të UP-së, me arsyetimin se është dashur kohë të shqyrtohen lëndët e secilit konkurrent dhe procedura nuk ka pasur mundësi të kryhet më herët.

Ardian Kastrati, këshilltar i rektorit të UP-së Ibrahim Gashi, ka thënë për gazetën “Zëri” se konkursi është shpallur gjatë mandatit të menaxhmentit të kaluar dhe me ardhjen e strukturave menaxhuese të reja është formuar komisioni vlerësues për lëndët e kandidatëve që kanë konkurruar nëpër pozitat e shpallura nga Rektorati për fakultete të ndryshme.

Ai ka thënë se ky komision ka shqyrtuar çdo lëndë dhe se shumica e këtyre lëndëve kanë përfunduar, një pjesë e të cilave, ai bëri të ditur se të martën kanë dalë edhe në Senat për miratim ashtu siç edhe e kërkon legjislacioni i Universitetit. Ndërkohë që pjesa tjetër e mbetur ai ka paralajmëruar se do të dalë prej javës së ardhshme në Senat.

Kastrati ka theksuar se menaxhmenti i UP-së është i interesuar të ketë sa më shumë staf të rregullt akademik nëpër fakultete. Për të realizuar këtë synim, ai ka paralajmëruar se do të ketë edhe një konkurs të ri për pranim të stafit akademik në muajin prill. Ndërkaq, sipas të dhënave për të plotësuar kërkesat me staf akademik UP-ja ka nevojë së paku deri në 1000 veta. Tani, një profesor në UP ngarkohet me disa lëndë e me shumë grupe të studentëve.

Agjencia për Akreditim, një nga kriteret që ka kërkuar nga UP-ja të plotësojë dhe që shpesh në proces të akreditimit është marrë si shkak për mosakreditim të ndonjë programi, është përmendur mungesa e stafit akademik, madje rekomandimet për disa programe të paakredituara kanë qenë që UP të rrisë numrin e personelit akademik.

Agjencia deri në nëntor të këtij viti ka pranuar aplikacionet për fazën e re të procesit të (ri) akreditimit. Në këtë fazë, kriteret e akreditimit është paralajmëruar nga ky institucion që do të ashpërsohen për shkak se institucionet tashmë konsiderohen se kanë një përvojë. Dy muaj më parë përfaqësues të AAK-së kur patën mbyllur konkursin deklaruan se kjo fazë e akreditimit, që do t’i nënshtrohet UP-ja, ka për qëllim ngritjen e cilësisë së studimeve dhe se një nga kushtet që duhet të plotësojë UP-ja për riakreditim është edhe rritja e numrit të stafit akademik.

Sipas të dhënave të kësaj agjencie numri i stafit akademik në raport me atë të studentëve është në shpërputhje të madhe sidomos në Fakultetin Ekonomik, pastaj atë Juridik, Shkenca Politike... Rritja e numrit të stafit është vlerësuar nga AAK si mekanizëm që do të ndikonte në cilësinë e studimeve, përmes shpërndarjes së studentëve në grupe më të vogla dhe mundësisë më të madhe të profesorëve që të punojnë me ta, pasi në Fakultetin Ekonomik, grupe të studentëve në ligjërata arrijnë numrin 200 -300 veta në një sallë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›