E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA feston 234-vjetorin e pavarësisë

Përvjetori

Shtetet e Bashkuara festuan dje 234-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Britania. Në Uashington, mijëra vetë u mblodhën në parkun kombëtar për të festuar me parada, këngë, fishekzjarrë e koncerte, ndërsa ekrane gjigande u vendosën në shumë pika nga ku festimet mund të ndiqeshin nga kushdo. Veprimtari të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera në të gjithë vendin. Në deklaratën e Presidentit Barack Obama, me rastin e 4 Korrikut, thuhej se këmbëngulja e guximi i themeluesve të këtij vendi përpara vështirësive e problemeve në dukje të pazgjidhshme, u bënë themelet e Shteteve të Bashkuara. Presidenti gjithashtu falënderoi burrat dhe gratë në Forcat e Armatosura amerikane, të cilët shërbejnë nëpër botë dhe shprehu nderim e respekt për ata që kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së nuk munguan as anketat e opinionit publik, në të cilat studiues dhe historianë presidencialë e cilësojnë Franklin Roosevelt si Presidentin më të mirë të SHBA-së. Më shumë se 230 ekspertë morën pjesë në anketën e kryer nga Instituti Kërkimor i Kolegjit Siena në Nju Jork.

Pjesëmarrësit u pyetën të kategorizojnë të 43 presidentët amerikanë në një numër fushash, përfshirë arritjet e tyre, inteligjencën, rolin udhëheqës, integritetin dhe gatishmërinë për të bërë kompromise. Kolegji Siena ka kryer pesë anketa opinioni që prej vitit 1982. Franklin Roosevelt ka qenë gjithnjë në krye të listës. Kushëriri i tij i largët, Theodore Roosevelt, është në vend të dytë në anketën e fundit, i pasuar nga Abraham Lincoln, George Washingtoni dhe Thomas Jefferson. Drejtori i anketës, Douglas Lonnstrom, tha se këta pesë presidentë kanë mbajtur pesë vendet e para në çdo anketë opinioni. Megjithëse ka qenë në detyrë vetëm një vit e gjysmë, Presidenti Barack Obama u rendit në vendin e 15, ndërsa paraardhësi i tij, George W. Bush, është në vend të 39. Vendin më të lartë mes presidentëve të cilët ende jetojnë, e zuri Bill Clinton, në vend të 13. Ronald Reagan është në vend të 18 kurse Jimmy Carter në vendin të 32-të.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›