Ministria e Jashtme distancohet nga zyrtari
Gjykata ka vendosur “arrest me burg” për zyrtarin e Ministrisë së Jashtme deri në përfundimin e procedurave për ekstradimin e tij drejt Amerikës. Almir Rrapo është përballur dje me togat e zeza, ku gjyqtari i gatshëm ka dëgjuar pretendimet e prokurorisë dhe ka vendosur që ai të qëndrojë në qeli në pritje të vendimit përfundimtar, që do të japë drejtësia e vendit tonë për ta dërguar drejt SHBA-së, ku kërkohet për trafik droge. Pas publikimit në gazetën “Shqip” të informacionit për arrestimin e tij, kanë ardhur edhe reagimet e para të politikës, ku Ministria e Jashtme ka deklaruar se funksionari i lartë i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ishte i emëruar në trup diplomatik.
Dje paradite, në mëngjes herët, një grup i gatshëm i policisë ka shoqëruar 27-vjeçarin, i cili ishte nëpunës i Ministrisë së Jashtme për në Gjykatën e Tiranës. Ai është përballur me vlerësimin për masën e sigurisë, ku gjyqtari i gatshëm ka vendosur për të “arrest me burg” deri në përfundimin e procedurave për ekstradimin e tij. Prokurori Petrit Fusha ka kërkuar që ai të mbahet në “arrest me burg” për shkak të rrezikshmërisë që ka për t’u larguar. Ndërsa avokati kërkoi një masë më të lehtë, duke u shprehur se klienti i tij nuk përbënte rrezik dhe se kishte pranuar të dorëzohet në polici pas njohjes me akuzën. Megjithatë, pasi gjykata ka dëgjuar dy pretendimet, vendosi “arrest me burg” për zyrtarin Almir Rrapo.
Sot pritet që menjëherë të nisë puna nga Interpol-Tirana, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe prokurorisë, për përgatitjen e dosjes, me qëllim ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në ditët në vijim do të caktohet edhe data e gjykimit të tij, ku drejtësia shqiptare do të vlerësojë nëse ai duhet ekstraduar drejt SHBA-së. Nga ana tjetër priten dokumentet shtesë nga Interpol-Uashington, pasi sipas policisë shqiptare nuk ka shumë informacione në lidhje me këtë person. Ai akuzohet se disa vite më parë, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë i përfshirë në trafik droge. Emri i tij ka rezultuar nga hetimet e Departamentit të Antidrogës në SHBA, që janë konkretizuar pak kohë më parë.
Sipas të dhënave nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana, mësohet se dosja në ngarkim të tij ka ardhur vetëm pak kohë më parë dhe ende nuk ishte konkretizuar identifikimi i plotë dhe vendqëndrimi i tij. Fati ka qenë me ta këtë radhë, pasi ai ishte paraqitur ditën e premte në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kryer një vizitë turistike. Por, kur emri dhe fotoja e tij kanë rezultuar në arkivat e Departamentit të Shtetit Amerikan, shërbimi i ambasadës ka njoftuar policinë shqiptare, duke filluar që nga drejtori i përgjithshëm i Policisë e më pas te funksionarët e tjerë.
Almir Rrapos i janë vendosur prangat që në ambasadë, ku ishte prezantuar si funksionar i lartë i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe si zyrtar i Ministrisë së Jashtme. Ai është shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga shërbimet e Komisariatit nr. 1, që ka në juridiksion zonën përreth ambasadës amerikane në Tiranë. Më pas, i ndaluari është marrë në dorëzim nga oficerët e Interpolit dhe të Sektorit të Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Për disa orë është marrë në pyetje në prezencën e prokurorit dhe të avokatit dhe në fund është vendosur arrestimi i tij. Burimet policore thanë se ka pasur shumë ndërhyrje për kapjen e tij, por kur janë njoftuar se për çfarë akuzohej 27-vjeçari, ata kanë vendosur edhe shkarkimin e tij nga detyra. Madje, informacioni për arrestimin e tij është dhënë shumë i cunguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
#