SHBA, i arrestuari për terrorizëm del para gjykatës

Një shtetas nga Bangladeshi i arrestuar nën dyshimet se kishte planifikuar të hedhë në erë ndërtesën e Rezervës Federale në qytetin e New York-ut, ka dalë para një gjykate federale dhe ndaj tij është vënë masa e ndalimit pa të drejtë lirimi.
Autoritetet federale arrestuan 21 vjeçarin Quazi Mohammad Rezwanul Ahsan Nafis në Manhattan të mërkurën nën dyshimet se ai kishte planifikuar të shpërthente një furgon të mbushur me lëndë plasëse në një mision vetvrasës.
Zyrtarët thanë se ai ishte arrestuar në një operacion të fshehtë dhe se nuk kishte të dyshuar të tjerë të përfshirë. Shefi i Departamentit të Policisë së New York-ut, Ray Kelly, tha për shtypin se Nafis kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara në janar me synim specifik për të realizuar sulm terrorist në tokën amerikane.
Ai tha se i dyshuari ishte frymëzuar nga Al-Kaida dhe pasi kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara ishte përpjekur të rekrutonte bashkëpunëtorë.