SHBA-ja akuzon Bankën Europiane për pastrim parash
Standard Chartered Bank ka pastruar para të klientëve iranianë
Autoritetet e shtetit të Nju Jorkut kanë denoncuar një mashtrim 10-vjeçar, të njërës prej bankave më të vjetra të Bashkimit Europian, e cila supozohet të ketë pastruar para për klientë iranianë. Benjamin Lawsky, mbikëqyrësi i Shërbimeve Financiare të Departamentit të Shtetit të Nju Jorkut, i ka vënë në dukje akuzat ndaj Standard Chartered Bank, një firme britanike, me datë themelimi vitin 1853. Këtë e ka bërë përmes një deklarate, 26 faqe të gjatë. Duke iu referuar mendimeve të brendshme të vetë peronave që e menaxhojnë këtë bankë, si dhe të avokatëve të ndryshëm, zyrtari amerikan tha se mes viteve 2001 dhe 2011 u hartua dhe u zbatua një skemë shumë e ndërlikuar, që do të përdorej në degën njujorkeze të bankës, si një koperturë pas së cilës fshiheshin marrëdhënie dhe marrëveshje të ndaluara me Iranin. Sipas tij, një gjë e tillë e bënte sistemin financiar amerikan të brishtë përballë sulmeve terroriste, përballë shpërndarësve të armëve, të drogës dhe regjimeve të korruptuara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë Iranit sanksione që nga viti 1979, pas sulmit që i bënë revolucionarët ambasadës amerikane në Teheran. Këto masa duket se janë tani në kuadrin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndaluar pasurimin e uraniumit në Iran. Sipas akuzave, banka e sipërpërmendur pastronte para të organizatave që ndodhen në listën e zezë të organizatave terroriste, të tilla si: Banka Qendrore e Urabnit dhe Banka Melli. Paratë përfundonin më pas në bankat e mëdha europiane të Britanisë së Madhe dhe të Lindjes së Mesme. Në akuzë thuhet se janë fshehur rreth 60 mijë transaksione financiare, në të cilat thuhet se janë përfshirë 250 miliardë dollarë dhe si pasojë banka ka përfituar miliona dollarë komision.
Për këtë arsye, krerët e bakës së akuzuar do të dalin para një komisioni hetimor dhe vetë bankës do ti vihet në pikëpyetje licenca nën akuzën e praktikimit të veprimeve kriminale. Por kur autoritetet amerikane i kanë bërë bankës britanike këto kërcënime, një ndër bankierët kryesorë të saj i është përgjigjur atyre me një gjuhë të ashpër: Ju amerikanët e dreqit kush kujtoni se jeni, që të na thoni ne dhe pjesës tjetër të botës që të mos bëjmë biznes me iranianët? Banka nën akuzë, nga ana tjetër, deklaron se raporti që e akuzon nuk është i plotë dhe ka shumë parregullsi.
SHBA-ja akuzon Bankën Europiane për pastrim parash burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip