E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-ja në ethet e zgjedhjeve presidenciale

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe rivali i tij nga Partia Republikane, Mitt Romney, kanë nisur dy javët e fushatës intensive para 6 nëntorit, kur amerikanët do të votojnë për presidentin e tyre të ardhshëm.

Pjesa më e madhe e fushatës pritet të përqendrohet në 10 të ashtuquajturat “shtete të lëkundura”, ku anketat sugjerojnë se as Obama, e as Romney, nuk kanë siguruar shumicën në mesin e votuesve të mundshëm.

Në këto shtete hyjnë Ohio, Florida, Karolina e Veriut, Virxhinia, Iowa dhe Nevada.

Sondazhet fillestare tregojnë se shumica e shikuesve mendojnë se Obama ka treguar paraqitje më të fortë në debatin e fundit presidencial mbi politikën e jashtme, që u mbajt të hënën.

Por, ndihmësit e dy kandidatëve besojnë se pala e tyre është fituese.

Sondazhet e opinionit tregojnë se kandidatët po zhvillojnë një garë të ngushtë, për të fituar 270 votat elektorale, të nevojshme për të siguruar presidencën.

Obama kërkoi të martën që të votohet dhe tha se katër vjetët e kaluara të udhëheqjes së tij kanë demonstruar, se ai është i aftë në kryerjen e punës si komandant i përgjithshëm i SHBA-së.

“Nuk ka çështje më serioze në një fushatë presidenciale sesa besimi. Besimi është i rëndësishëm. Ju doni të dini se personi që kërkon të bëhet presidenti juaj dhe komandant i përgjithshëm, është i besueshëm, se ai e ka me gjithë mend atë që e thotë dhe nuk flet, varësisht nga rrethanat, nëse ato janë të përshtatshme apo jo”, u shpreh presidenti Obama, në Dayton.

Ai gjithashtu e filloi një sulm të ashpër ndaj Romneyt, duke tentuar ta portretizojë biznesmenin dhe ish-guvernatorin e Masachussetsit si një njeri të së kaluarës.

“Politika e tij e jashtme është ajo e viteve të 80-ta, para se të merrte fund Lufta e Ftohtë. Politikat e tij sociale janë ato të viteve të 50-ta, ndërsa politikat ekonomike janë të viteve të 20-ta. Ai e di se kjo nuk shitet, edhe pse këto janë qëndrimet e tij, andaj në javët përmbyllëse të fushatës, po bën çdo gjë që mundet për të fshehur qëndrimet e tij të vërteta dhe po na thotë atë që ai mendon se ju doni të dëgjoni dhe pastaj e kalon shumicën e kohës duke na thënë se çfarë mendon se është e gabuar me Amerikën”, tha Obama.

Duke folur të martën në Henderson të Nevadas, Romney hodhi poshtë sulmet e Obamës, duke thënë se presidenti nuk ka artikuluar një agjendë për të ardhmen.

Ai denoncoi sulmet e Obamës si veprime të dëshpëruara të një kandidati që e di se fushata e tij po lëkundet.

“Sulmet ndaj meje nuk janë agjendë. Ne tashmë i kemi zhvilluar katër debate, kemi pasur katër debate nën-presidenciale dhe nuk kemi dëgjuar një agjendë nga presidenti. Andaj, fushata e tij po fundoset si një barkë, ndërsa, fushata jonë, po ecën me shpejtësi të plotë përpara”, u shpreh kandidati republikan.

“Ne do ta kthejmë Amerikën, do ta kthejmë këtë vend duke siguruar vende të mira pune, duke qenë të fuqishëm jashtë shtetit, duke mbështetur ushtrinë tonë. Amerika po kthehet, ky është një ekip i kthimit", shtoi Romney.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›