E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vërtetat në fytyrë

Shqipëria dhe Serbia po përpiqen të përmirësojnë raportet, por dy vendet kanë ende dallime të mëdha. Gjatë vizitës së në Tiranë, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivan Mrkic, foli me tone miqësore. Por, homologu i tij shqiptar, Edmond Panariti, tha se Beogradi duhet të shkëputet nga e kaluara gjenocidale, ta njohë Kosovën dhe të trajtojë më mirë shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Shqipëria dhe Serbia po përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet, por zyrtarët e këtyre dy vendeve gjatë takimeve të martën në Tiranë kanë rikonfirmuar dallimet për shumë çështje.

Gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm serb, Ivan Mrkic, në Shqipëri, homologu i tij shqiptar Edmond Panariti me një gjuhë të kujdesshme ka adresuar ato që vendi i tij pret nga Serbia.

Panariti ka përmendur pozitën e shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve të Republikës së Serbisë, duke thënë se ata duhet të trajtohen sipas standardeve ndërkombëtare.

“Kërkova që autoritetet serbe të ndërpresin dhe të ndahen nga aktet e dhunës ndaj këtij komuniteti, sepse këto janë prerogativa për zhvillimin normal dhe ruajtjen e identitetit të këtij minoriteti dhe i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të urave të bashkëpunimit midis dy vendeve tona”, ka thënë Panariti.

Ai ka adresuar edhe çështjen e dialogut Kosovë – Serbi duke mirëpritur takimin e Kryeministrit Thaçi dhe atij Dacic. Në këtë kontekst, Panariti ka përmendur pritjen e shtetit shqiptar që fundi i procesit të dialogut të rezultojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Me këtë rast, Panariti ka përmendur edhe distancimin e Serbisë nga e kaluara e dhunës dhe gjenocidit.

“Kjo do të ishte pa dyshim edhe një tregues i qartë dhe një vullnet i shkëputjes nga e kaluara, e dhunës, e represionit dhe gjenocidit nga regjimi i Milosevicit dhe kjo do t’i shërbente që të dy vendet të projektoheshin qartë drejt së ardhmes së tyre të përbashkët evropiane”, ka thënë ai.

Mrkic nga ana e tij ka folur me tone miqësore ndaj shtetit shqiptar në konferencën për media.

Por, edhe ai ka përmendur dallimet që ekzistojnë mes dy vendeve.

“Ne si Qeveri e re e Serbisë jemi të vendosur me presidentin Nikolic në krye që të mbajmë lidhje shumë të forta me Shqipërinë dhe të gjejmë në radhë të parë pika, të cilat neve na bashkojnë, ndonëse e dimë që kemi edhe pika fondamentale, për të cilat ne nuk përputhemi, por nëse ne e zgjerojmë këtë bashkëpunim, atëherë mendojmë se do të arrijmë të qartësojmë dhe do të gjemë pika të përbashkëta edhe për probleme të tjera”, ka thënë Serbi.

Por, ai nuk është pajtuar me konstatimin e Panaritit për gjenocidin.

“Unë jam shumë i emocionuar kur përmendet fjala gjenocid dhe duhet ta dini që ne serbët e kemi provuar një gjë të tillë, saqë e mbajmë mend gjatë atë”, ka thënë ai.

“Ju e dini që ne kemi interpretime të ndryshme përsa i përket historisë. Prandaj, sipas mendimit tim, ne duhet t’i referohemi sa më pak kësaj periudhe. Këtë them që t’ia lëmë historianëve dhe njerëzve të shkencës, kurse ne si qeveri dhe si politikanë do të përpiqemi të vëmë në plan të parë gjithçka që na bashkon dhe që të mos lëmë asnjëherë që të përsëriten gjërat në këto hapësirat tona”, ka shtuar ai.

Mrkic ka thënë se Serbia ka dallime rreth çështjes së Kosovës dhe rreth strukturave paralele në veri.

“Siç e kam thënë, ne kemi mendime të kundërta për këtë problem. Kjo dihet nga të gjithë. Rëndësi ka që Qeveria e Serbisë ka vendosur që të futet në nivelin më të lartë në bisedime me përfaqësuesit e Prishtinës”, ka thënë ai.

Edhe diplomati serb ka përmendur minoritetin serb në Shqipëri, por ka thënë se “ata ndihen qytetarë të Shqipërisë dhe ata janë besnikë të atdheut të vet”.

Mrkic ka takuar edhe Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Vizita e kryediplomatit serb në Shqipëri zhvillohet pas takimit të këtij të fundit me homologun shqiptar në New York. Panariti ka thënë se Ministri i Jashtëm serb në këtë takim ka bërë edhe kërkesën për vizitë në Tiranë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›