E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA kërcënon Izraelin me ndërprerjen e ndihmës ushtarake: 30 ditë kohë për të rritur ndihmën humanitare në Gaza

SHBA i ka kërkuar qeverisë izraelite që të rrisë urgjentisht aksesin e ndihmave humanitare në Gaza, duke i lënë 30 ditë kohë, ose në të kundërt do të përballet me ndërprerjen e ndihmës ushtarake amerikane.

Letra përbën paralajmërimin më të fortë të njohur me shkrim nga administrata Biden për aleatin e saj, që vjen pasi sulmi i Izraelit në Gazën veriore ka çuar në zhvendosje masive të detyruara të civilëve në jug.

Letra, dërguar dy ditë më parë, është nënshkruar nga Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin. Në letër shkruhet se SHBA ka “shqetësim të thellë” për “përkeqësimin e situatës humanitare”.

Po ashtu shton se Izraeli muajin e kaluar mohoi ose pengoi gati 90% të lëvizjeve humanitare midis veriut dhe jugut të Gazës.

Ai thotë se urdhrat e evakuimit kanë detyruar 1.7 milion njerëz në një brez të ngushtë bregdetar ku ata janë në “rrezik të lartë vdekje”.

Letra kërkon “veprime urgjente dhe të qëndrueshme nga qeveria izraelite këtë muaj për të ndryshuar këtë trajektore”.

“Izraeli duhet, duke filluar tani dhe brenda 30 ditëve, të veprojë në një sërë masash konkrete për të rritur furnizimet me ndihma, dështimi mund të ketë implikime për politikën e SHBA”, thuhet në letër.

SHBA i bën thirrje Izraelit t’i japë fund “izolimit të Gazës veriore” duke riafirmuar se nuk do të ketë “asnjë politikë të qeverisë izraelite për evakuim të detyruar të civilëve” nga veriu në jug./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›