SHBA kërkon gjykim korrekt për ish kryespiunin libian

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Libisë që të sigurojë që shefi i inteligjencës nën regjimin e Gadafit të ketë një gjykim të drejtë dhe të trajtohet mirë.
Zyrtari për informim në Departamentin amerikan të Shtetit Patrik Ventrell tha se Uashingtoni gjithashtu i bën thirrje qeverisë libiane që të vazhdojë bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Thirrja vjen pasi që Abdullah al-Senusi është ekstraduar në Libi nën akuzat për krime të kryera gjatë sundimit të Gadafit.
Senusi, i cili është kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale u kthye në Libi nga Mauritania, pasi u arrestua atje në muajin mars.
Gjykata thotë se Senusi ka luajtur një rol “vendimtar” në përpjekje për të shtypur revoltën popullore që rrëzoi regjimin e Gadafit në vitin e kaluar.
I biri i Gadafit, Seif al-Islami pritet të dalë para gjykatësve në këtë muaj në Libi, pavarësisht një urdhër arresti të Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër tij.