SHBA lobon në shtetet islamike për njohjen e Kosovës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po lobojnë për njohjen e Kosovës nga shtetet islamike. I dërguari i posaçëm i SHBA-së në Organizatën e Konferencës Islamike, Sada Cumber, po viziton rajonin dhe ka qëndruar për dy ditë në Sulltanatin e Bruneit, ku ka nxitur zyrtarët e këtij shteti që ta njohin sa më parë Kosovën. "Është shumë e rëndësishme që ta njihni Kosovën, pasi që është një shtet i ri me shumicë myslimane. Është e rëndësishme që Kosova të mos dështojë", ka thënë Cumber. Sipas diplomatit amerikan, shtetet islamike duhet ta njohin Kosovën në mënyrë që të bëhet shtet i suksesshëm dhe që do të luajë rol të rëndësishëm në Islamin modern dhe përparimtar.