SHBA mbështet integrimin e Maqedonisë në NATO

SHBA mbështet integrimin e Maqedonisë në NATO. Garancia ka ardhur nga vetë Presidenti amerikan, Barac Obama, gjatë një takimi që ka pasur me Presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov, gjatë qëndrimit të këtij të fundit në Nju-Jork.
Në takim, gjatë pritjes për shefat e delegacioneve që marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Obama theksoi se SHBA-ja jep përkrahje të fortë për integrimin e Maqedonisë në NATO. Presidenti amerikan njëkohësisht shprehu falënderime për kontributin që Maqedonia e jep në misionet ushtarake, siç është misioni në Afganistan.
Nga ana e tij, presidenti i Maqedonisë Ivanov kërkoi që të vazhdohet përkrahja që SHBA-ja i jep Maqedonisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Presdenti amerikan në takim me shefin e shtetit të Maqedonisë e inkurajoi dialogun e Maqedonisë me Greqinë për tejkalimin e kontestit për emrin, me shpresën se do të gjendet zgjidhje. Obama tha se është e nevojshme që të punohet për realizimin e hyrjes së Maqedonisë në NATO.