Zjarr masiv në Riban të Mallakastrës, evakuohen 15 familje

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Policia e Fierit, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave dhe zjarrfikësit, po vijon operacionin për përballimin e një zjarri masiv që ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke në fshatin Riban, në Mallakastër.
Për shkak të përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara, shërbimet e Policisë kanë evakuuar 15 familje, si dhe bagëtitë e kafshët e tyre shtëpiake, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe pronës.
Në terren janë angazhuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, Drejtoria Vendore e Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat e emergjencave civile. Operacioni mbështetet nga ajri nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avion “Canadair”.
Forcat në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, ndërsa vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e prekur nga flakët.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave. Hetimet do të përcaktojnë edhe nëse zjarri është shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.
Policia apelon qytetarët të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera dhe të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie.
/gj.m/a.f/r.e/