E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA mirëpret marrëveshjen Kosovë-Serbi

PRISHTINË -  Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë mirëpret marrëveshjen e arritur së fundi për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Siç ka qenë rasti edhe me marrëveshjet e tjera të arritura brenda kornizës së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja, Qeveria e Kosovës ka treguar maturi dhe fleksibilitet në arritjen e kësaj marrëveshjeje me Serbinë. Ajo mbron dhe avancon interesat e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur”- thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Sipas Ambasadës Amerikane, tashmë është koha që edhe bllokadat e tjera ilegale në pjesën veriore të Kosovës të hiqen.

“Ato bllokada të rrugëve po pengojnë KFOR-in dhe EULEX-in për të ushtruar përgjegjësitë e tyre anekënd Kosovës në pajtim me mandatet e tyre përkatëse. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se duhet të ketë liri të lëvizjes pa kusht kudo nëpër Kosovë për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”- nënvizon Ambasada Amerikane.

(er.nu/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›