SHBA ndal pagesën për UNESKO-n, pas pranimit të AP

Pasi Agjencia e Kombeve të Bashkuara për kulturë, UNESKO, sot i siguroi anëtarësi të plotë, Autoritetit Palestinez (AP), Shtetet e Bashkuara, kontribuesi kryesor në buxhetin e UNESKO-s, menjëherë i kanë ndalur pagesat për këtë organizatë.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland, shpalli se Uashingtoni e ka ndalur financimin.
" Ne ishim në vazhdim e sipër të pagesës prej 60 milionë dollarësh për UNESKO-n në nëntor, dhe ne nuk do ta bëjmë këtë pagesë”, tha Nuland.
Legjislacioni i Shteteve të Bashkuara nuk i lejon qeverisë amerikane, që të financojë çfarëdo organizate të Kombeve të Bashkuara, që e pranon Autoritetin Palestinez si anëtar me të drejta të plota.