Bosnje: Sulmuesi i Ambasadës së SHBA-së në paraburgim

Gjykatë në Bosnjë Hercegovinë ka urdhëruar që 23 vjeçari, Mevlid Jashareviç, i cili ka shtënë me armë kundër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Sarajevë, të mbahet në paraburgim për një muaj, derisa autoritetet ta hetojnë këtë rast.
Autoritetet kishin thënë se ky ishte akt terrorist.
Gjyqtari sot e ka pranuar argumentin e Prokurorisë se Jashareviçi mund të ndërhyjë në hetime, nëse nuk mbahet në paraburgim.
Shtetasi Mevlid Jashareviç është i akuzuar për të shtëna ndaj Ambasadës amerikane në Sarajevë, gjatë së paku 30 minutave, ditën e premte, dhe plagosje të një polici.
Pastaj një snajperist policor e kishte qëlluar atë në këmbë. Në dëgjim, Mevlid Jashareviç tha se ai nuk e njeh gjykatën.
Avokati tha se klienti i tij është krejtësisht i larguar nga realiteti dhe se duhet të kontrollohet nga psikiatri.
Jashareviç është pjesëtar i sektit mysliman sunite Vehabiste.
Nga ana tjetër, Nusret Imamoviç, lider i Lëvizjes Vehabiste në Bosnjë, i ka dënuar të shtënat, duke thënë se akti ishte “i papranueshëm”.