SHBA, nis hetimi për helikopterin e rrëzuar në Afganistan
Aleanca e NATO-s ka filluar punën për sigurimin e vendit ku u rrëzua një helikopter amerikan në Afganistanin qendror, ku mbetën të vrarë 38 persona. Nga kët 30 ishin trupa amerikane, shtatë komando afgane dhe një përkthyes.
Rrëzimi i aeroplanit në provincën Wardak shënon humbjen më të madhe për forcat amerikane në një incident të vetëm, që kur filloi lufta në fund të vitit 2001. Zyrtarët amerikanë thanë se trupat në helikopter kishin shkuar në ndihmë të një njësie të ushtrisë amerikane që u sulmua nga kryengritësit.
Koalicioni tha se ka filluar një hetim për të përcaktuar shkakun e rrëzimit. Zëdhënësi i NATO-s, Gjenerali Carsten Jacobsen u tha sot gazetarëve se vendi i rrëzimit u sigurua dhe aty nuk lejohet asnjeri.
Zyrtarët amerikanë thanë se 22 prej të vrarëve ishin forca speciale SEALS, përfshirë edhe anëtarë të ekipit që vrau Osama bin Ladenin në Pakistan më 2 maj.