Departamenti i Shtetit: Vendet e “Adriatik 3”, punë të shkëlqyer për anëtarësimin në NATO
Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia kanë bërë një punë të shkëlqyer në kuadër të reformave që kërkohet për anëtarësimin në NATO.
Kështu është shprehur zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet europiane, Kurt Volker dje për “Zërin e Amerikës”. Ne mendojmë se ato kanë bërë një punë të shkëlqyer. “Rezultatet e të tre vendeve kanë qenë mjaft të fuqishme dhe këto ne do t'i diskutojmë në NATO, ku vendimi merret me konsensus. Pra, bazuar në rezultatet, bazuar në kontributet për sigurinë, ne mendojmë se ato kanë bërë shumë dhe ne i mbështesim aspiratat e tyre”- tha zyrtari amerikan. Zoti Volker, i cili është emëruar nga Presidenti Bush si ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe pret konfirmimin e Senatit, tha se anëtarësimi i të tre vendeve në Aleancë, do të kontribuonte në sigurinë afatgjatë të rajonit, sidomos tani në kushtet kur është shpallur pavarësia e Kosovës. “Ky është një rast i mirë në Ballkan për të lënë pas një herë e mirë dhunën e viteve 90, dhe për ta futur të gjithë rajonin në shekullin e 21”- tha zyrtari i lartë amerikan.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm, Jaap De Hoop Scheffer, gjatë fjalimit që mbajti në Institutin Brookings në Uashington, ku ky i fundit bëri të qartë se përveç Afganistanit dhe Kosovës, axhenda e samitit Bukuresht do të përfshijë edhe çështjen e zgjerimit të NATO-s, ku Shqipëria është ndër kandidatet e mundshme bashkë me Kroacinë dhe Maqedoninë. Ashtu si
në deklaratat e mëparshme për çështjen e pranimit të tre vendeve ballkanike në NATO, Scheffer nuk ka pranuar që të shprehej me terma të qartë se si do të vendosë aleanca por la të kuptohet se të treja vendet kanë bërë përparim të dukshëm në reformat që do t'i kualifikonin për anëtarësim. “Edhe tani që flasim, “biletat” për ftesat nuk janë shtypur ende. Përsa u përket ftesave, ato nuk jepen automatikisht. Pra këto vende duhet të vazhdojnë punën për reformat dhe duhet ta bëjnë procesin e reformave të pakthyeshëm”- deklaroi Sekretari i Përgjthshëm.
Aleanca i merr vendimet me konsensusin e të gjitha shteteve anëtare prandaj zyrtarët e saj më të lartë janë të kujdesshëm në deklaratat se cili vend do të marrë ftesën për anëtarësim.