E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA përkrah të drejtat e individëve, LGBT

TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri i bashkohet bashkësisë ndërkombëtare për të dënuar retorikën që nxit trajtimin diskriminues apo dhunën kundrejt individëve lesbikë, gay, biseksualë dhe transgjinorë.

"Mirëpresim deklaratat e Kryeministrit Sali Berisha, Avokatit të Popullit Igli Totozani, dhe Komisioneres Kundër Diskriminimit Irma Baraku që përkrahin të drejtat e individëve LGBT si të drejta të njeriut dhe mbështesin historinë e Shqipërisë me tolerancën", thuhet në njoftimin për shtyp, të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Në njoftim citohet se Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton ka theksuar se "përbën shkelje të të drejtave të njeriut kur njerëzit rrihen apo vriten për shkak të orientimit të tyre seksual, apo sepse nuk janë konform normave kulturore se si duhet të duken apo të sillen burrat dhe gratë".

"Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë të drejtat e bashkësisë LGBT si të drejta themelore të njeriut. Besojmë që deklaratat e qeverisë shqiptare ofrojnë një mundësi për diskutime të hapura lidhur me të drejtat universale të njeriut dhe sfidat me të cilat përballet bashkësia LGBT në Shqipëri".

"Mbështesim përpjekjet e shoqërisë civile, bashkësisë ndërkombëtare, organizatave LGBT, si dhe të qeverisë për ta zhvilluar një diskutim të tillë", thekson deklarata.

Ambasadori u takua me aktivistë LGBT, Avokatin e Popullit, e anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare sot për të ritheksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj mbështetjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri.
"Mirëpresim përpjekjet e tyre për të sjellë ndryshime pozitive e së bashku do të vazhdojmë punën me shoqërinë civile, qeverinë e median në përpjekje për të promovuar këto vlera bazë e themelore", përfundon deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Parada e gay-ve, PLL: Berisha të mbajë vendin e vet Deklaratat kundër paradës Gay, LGBT tryezë në mbrojtje të të drejtave të njeriut

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›