E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evsen: E vërteta e shtetësisë shqiptare e lidhja me Mubarak

28/03/2012  Rrëfimi i miliarderit të kërkuar për pastrim parash

AZERBAXHAN- Urdhërin e arrestit e përjeton si tronditje Ali Evsen, një ndër miliarderët turq më të përfolur për implikime në pastrimin e parave, i dyshuar për lidhje me ish-presidentin egjiptian Hosni Mubarak dhe njëkohësisht president i “Albanian Airlines”. Në një intervistë ekskluzive për gazetarin Hafiz Heydarov nga APA, Evsen mohon njoftimin e Interpolit, sipas të cilit kishte marrë shtetësinë shqiptare, përveç asaj turke dhe azerbaxhanase, ndërsa rrëfen edhe përjetimet e tij ndaj gjithë këtyre akuzave. Evsen u hetua edhe nga njësia Task-Forcë e Prokurorisë së Tiranës për pastrim parash dhe u bllokuan përkohësisht disa pasuri të “Albanian Airlines”, por pas një letërporosie dërguar në Spanjë hetimet ndaj tij u mbyllën, pasi nuk u gjetën implikime në pastrimin e parave. Në cilësinë e presidentit të “Evsen Group”, me bazë në Azerbaxhan, ai komentoi raportin në lidhje me urdhër-arrestin e lëshuar nga Interpoli për të. “Unë kam pranuar thirrje telefonike nga Azerbaxhani që unë isha deklaruar si i kërkuar. U trondita nga ky lajm. Unë nuk e kuptoj se çfarë e shkaktoi këtë lajm dhe si u përhap kaq shpejt. Nëse ky ishte rasti, unë do ta dija”,-thotë Evsen, duke shtuar se kishte qenë në Azerbajxhan kohët e fundit dhe nuk kishte hasur ndonjë problem në kufi. Më tej ai shton se “Akuza false është bërë kundër meje në Spanjë, vitin e kaluar. Agjencitë spanjolle të zbatimit të ligjit kryen hetimin mbi mua me kërkesën e qeverisë egjiptiane. Unë u akuzova për korrupsion. Pastaj u zbulua se unë jam i pafajshëm dhe gjykata më liroi. Pra, unë mund të shkoj në çdo vend, në çdo kohë. Tani jam në Spanjë. E lashë Azerbajxhanin për Turqinë dhe erdha këtu disa ditë më parë. Nëse Interpoli lëshoi urdhër-arresti për mua, pse nuk u kapa gjatë rrugës? Po përballem me një situatë shumë interesante”. Evsen vuri në dukje se ai u takua me përfaqësuesit spanjollë të agjencive të zbatimit të ligjit dhe ata nuk e informuar në lidhje me ndonjë urdhër-arresti apo çështje tjetër. “Në qoftë se isha në kërkim ata do të më arrestonin kur i takova”,-shton biznesmeni, duke komentuar gjithashtu edhe informacionin në lidhje me shtetësinë e tij. Ai vuri në dukje se ky informacion është i rremë dhe se ai është qytetar i vetëm një vendi, Turqisë. Sipas njoftimit të Interpolit thuhej se 49-vjeçari Ali Evsen është qytetar i tre vendeve, Azerbaxhanit, Turqisë dhe Shqipërisë. Ali Evsen gjithashtu komentoi informacionin në lidhje me Hosni Mubarak ish-presidentin e Egjiptit. “Unë jam një biznesmen, ndaj kam marrëdhënie tregtare kudo edhe në Egjipt, por kjo s’ka asnjë lidhje me Hosni Mubarak. E kam vizituar këtë vend dikur. Kam udhëtuar në Egjipt, pas përmbysjes së Mubarakut. Le të kontrollohen faktet dhe të shohim se kur dhe sa herë shkova në Egjipt”,-përfundon miliarderi. Fundin e verës së kaluar, Ali Evsen, njeriu pranë ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak Hussein Salemi dhe djali i tij Halid Salemi janë arrestuar në Spanjë, me akuzat e pastrimit të parave të ryshfetit, dhe korrupsionit. Një muaj më vonë Ali Evsen u lirua pasi ai nuk u gjet fajtor. Ali Evsen është presidentit të “Evsen Group”, me bazë në Azerbaxhan, president i “Albanian Airlines”. “Evsen Group” përfshin shërbimet Az Samand, komplekse elite dhe elektronike në Azerbaxhan.

Historiku i 2.5 milionë eurove që u bllokuan në Tiranë

Hetimi në Shqipëri për milionat

Roli i Ali Evsen te “Albania Airlines”

Më 17 janar është pushuar hetimi ndaj biznesmenit të kompanisë “Albania Airlines” Ali Evsen, që dyshohej nga Prokuroria si i implikuar në veprën penale të pastrimit të parave. Gjatë 8 muajve verifikime, njësia hetimore Task-Forcë nuk mundi të provojë dyshimet e saj, pasi edhe nga letërporositë e dërguara në Turqi dhe Spanjë, nuk u siguruan informacionet e nevojshme që do të vërtetonin aktivitetin kriminal të biznesmenit Ali Evsen. Siç, mësohet për këtë çështje hetuesit shqiptarë kanë marrë dy takime me prokurorë të Spanjës, prej nga dhe u iniciua hetimi për Evsen, por në fakt këto takime nuk sollën asnjë rezultat për sa i përket hetimit të dosjes. Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore, njësia Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës vuri në sekuestro preventive 15 llogari bankare që në total përmbushnin shifrën prej rreth 200 mijë dollarëve. Ndërkohë që nën sekuestro preventive ishin vënë dhe bizneset e Ali Evsen, duke filluar nga kompania ajrore “Albania Airlines” e deri tek disa hotele dhe restorante që ndodhen në Shqipëri. E gjithë kjo pasuri kapitale u përkthye nga prokurorët e njësisë Task-Forcë në një shumë prej rreth 2.5 milionë euro. Momentalisht të gjitha bizneset, por dhe llogaritë bankare, janë liruar nga gjendja e sekuestros, duke bërë që kompania të vijojë normalisht aktivitetin tregtar të saj. Ndërkohë që për sa i përket interesimit të autoriteteve spanjolle dhe atyre turke mbi këtë çështje, burimet shtuan se deri në këtë periudhë ende si ka ardhur asnjë kërkesë për informacion. Ali Evsen është aksioneri kryesor i kompanisë shqiptare ajrore “Albanian Airlines”, me 93% të aksioneve me vlerë rreth 2.9 miliardë lekë. Biznesmeni turk bleu kompaninë në vitin 2008 së bashku me kompaninë tjetër ADVANCED CONSTRUCTION GROUP, e cila ka 7% të aksioneve të “Albanian Airlines”. Ndërkaq, kjo kompani ajrore shqiptare është krijuar në vitin 1992 dhe ka ndërruar pronarët disa herë. Skandalet e kanë shoqëruar këtë kompani ajrore ndër vite, ku kohët e fundit janë shpeshtuar. Disa herë pasagjerët e saj kanë mbetur të bllokuar nëpër aeroportet e botës, kur skandali i vitit 2008 ishte më i dukshmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›