E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA po financon kryengritjen afgane?

Raporti më i ri i Kongresit amerikan thotë se SHBA-ja po paguan me dhjetëra miliona dollarë në vit për firmat e sigurisë në Afganistan, duke i kanalizuar këto të holla te udhëheqësit e luftës, e potencialisht edhe te talebanët.

Në raport theksohet se sistemi i Pentagonit për angazhim me qira të kompanive private për lëvizjen e furnizimeve në Afganistan, duke i lënë ato që vetë ta bëjnë sigurinë e tyre, ka shkaktuar “reketë të madhe mbrojtëse nga rrjetet e udhëheqësve të luftës, komandantëve, zyrtarëve të korruptuar afganë dhe me gjasë edhe nga të tjerët”.

Në raport theksohet se pagesat për mbrojtje ishin “burim i rëndësishëm potencial për financimin e talebanëve”.

Më tutje u theksua se kjo gjë paraqet shkelje të rregullave të State Departamentit amerikan të shtetit dhe mund t’i shkatërroj përpjekjet e SHBA-së për t’i shkaktuar disfatë kryengritësve dhe korrupsionit dhe për ta ndërtuar një qeveri efektive në Afganistan.

Ky raport, përgatitur në lidhje me situatën që ka mbretëruar në Afganistan gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, u shqyrtua edhe në seancën dëgjimore, e cila u zhvillua dje në Kongresin e SHBA-së.

Në anën tjetër, Britania ka njoftuar se i dërguari i saj në Afganistan dhe Pakistan, Sherard Cowper-Coles, ka marrë “një pushim të zgjatur”, për shkak të raporteve se diplomati ka mospajtime me SHBA-në dhe me NATO-n, lidhur me strategjinë për luftën kundër talebanëve.

Ministria e Jashtme e Britanisë ka refuzuar të thotë se përse ai e mori këtë pushim të gjatë, pikërisht në këtë pikë të konfliktit në Afganistan.

Kjo kumtesë u bë pikërisht në momentin kur Britania njoftoi se numri ushtarëve të vet në Afganistan gjatë nëntë viteve, ka arritur shifrën prej 300 sosh.

Në një shtjellim tjetër që ndërlidhet me Afganistanin, komandanti i forcave amerikane në Afganistan, gjeneral Stanley McChrystal, ka kërkuar falje për komentet e tij në një artikull, në të cilin duket se ai dhe ndihmësit e tij ishin kritikë ndaj zyrtarëve të administratës së presidentit amerikan, Barack Obama.

Në kumtesën e tij, MecChrystal tha se shprehë “keqardhjen më të sinqertë” për komentet në revistën “Rolling Stone”, duke thënë se deklaratat ishin “gabim që reflekton vlerësim të dobët” dhe se kjo nuk do të ndodhë kurrë më.

Mëtutje, ai theksoi se “ka respekt të madh dhe admirim” për presidentin Barak Obama dhe ekipin e tij të sigurisë kombëtare.

Në artikullin e përmendur, McChrystal ka bërë shaka sarkastike në referencën e tij për zëvendëspresidentin, Joe Biden, i cili njihet për skepticizmin e tij ndaj strategjisë së gjeneralit McChrystal për konfliktin në Afganistan.

Në artikull ka edhe komente jokorrekte lidhur me ambasadorin amerikan në Afganistan, Karl Eikenberry dhe për të dërguarin e SHBA-ve në Afganistan dhe Pakistan, Richard Holbrook.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›