E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, sanksione të reja ndaj monedhës iraniane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksionet e reja ndaj Iranit, duke vënë në shënjestër monedhën kombëtare rial, duke rritur kështu presionet ndaj Teheranit për të braktisur programin e tij bërthamor.

Sanksionet përfshijnë dënime ndaj kujtdo, që lehtëson transaksione të rëndësishme në rial (monedha iraniane), apo që mban shuma të konsiderueshme të kësaj monedhe jashtë Iranit.

Lëvizja e fundit mund të detyrojë institucionet të zbrazin depozitat në rial, duke e dobësuar edhe më tej këtë monedhë.

Monedha iraniane ka rënë ndjeshëm ndaj dollarit amerikan gjatë dy viteve të fundit, e dëmtuar nga një sërë sanksionesh të ndërmarra kundër sektorëve kyç të Teheranit.

Ky është seti i 9-të i sanksioneve, që administrata e presidentit Barack Obama ka vendosur ndaj Iranit por është hera e parë, që SHBA-të kanë shënjestruar monedhën iraniane.

Sanksionet e fundit kanë përfshirë edhe sektorin e automobilave në Iran, një nga më të rëndësishmit në punësimin e iranianëve dhe një nga kontribuesit më të mëdhenj të ekonomisë iraniane.

Këto sanksione të reja janë pjesë e përkushtimit të presidentit Obama për të ndaluar Iranin nga ndërtimi i një arme bërthamore, akuzë që Irani e mohon dhe për dështimin e Iranit për të përmbushur detyrimet e tij ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›