SHBA shpreh shqetësim për lidhjet e Iranit me Amerikën Latine

Shefi i Komandës Jugore të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Dagllas Frejzer, ka deklaruar se Irani po zgjeron lidhjet e tij në Amerikën Latine, përtej marrëdhënieve të tij të afërta me Venezuelën, shqetësim ky që në Shtetet e Bashkuara ndiqet nga afër.
Gjenerali Frejzer, mbrëmë gjatë një dëgjimi në Komitetin për shërbime të armatosura të Senatit të Shteteve të Bashkuara, tha se përpjekjet e Iranit për zgjerim të lidhjeve rajonale kanë për qëllim “reduktimin e ndikimit të sanksioneve të lidhura me programin e tij bërthamor”.
Sipas tij, Irani pothuajse e ka dyfishuar numrin e ambasadave në rajon, nga 6 në vitin 2005, në 10 në vitin e kaluar, ndërsa ka ndërtuar qendra kulturore në 17 vende.
Gjenerali Frejzer tha se vitin e kaluar Irani, gjithashtu kishte pritur shefat e shteteve të Bolivisë, Guajanës dhe Venezuelës.