E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-të dhe BE kanë thënë një JO të qartë zgjedhjeve të parakohshme



Kërkesa për zgjedhje të parakohshme që motivoi opozitën të sulmonte institucionin e kryeministrisë në 21 janar, veçse ka intensifikuar qëndrimin kundër, jo vetëm të faktorëve të tjerë politike në vend, por veçanerisht të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Së brendshmi është OSBE e cila e me anë të ambasadorit Volfart i ka thuajse të përditshme thirrjet për respektim të ligjit për mbajtjen e zgjedhjeve të 8 majit në afatet kushtetuese.

Në konferencën më të fundit për median në Tiranë, pas takimesh të gjata me krerët e politikës në vend dhe presidentin e Republikës, Zv.ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Tomas Kantrimen do të citonte po ambasadorin Volfart në kundërpërgjigje të paralajmërimeve të opozitës për një bllokim apo bojkot të zgjedhjeve për drejtuesit e pushtetit vendor.

Kantrimen duke risjellë në vemendje deklaratat e kreut të OSBE theksoi se paraqitja e emrave të komisionerëve është “shpërfillje e hapur për aspiratat demokratike të qytetarëve shqiptarë nga partitë politike.” Kantrimen bëri thirrje që partitë politike duhet që, jo si çështje politike, por si çështje kushtetuese, të paraqesin emrat dhe të planifikojnë për zgjedhjet vendore. “Në çdo demokraci”, theksoi ai “hera-herës partitë mendojnë që i zotërojnë ato zgjedhjet. Pronar i zgjedhjeve është populli, i cili duhet të zgjedhë midis kandidatëve dhe kjo nënkupton pjesëmarrje në zgjedhjet vendore”.

Edhe Bashkimi Europian, jo vetëm me të dërguarin e baroneshës Ashton, Lajcak, por edhe me prononcimet e përditshme të eurodeputetëve dhe zyrtarëve të KE, bëjnë thirrje që partitë politike të fokusohen tek 8 maji, pasi siç theksojne ata 28 qershori 2009 është një kapitull i mbyllur. Afati për dorëzimin e propozimeve për komisionerët e KZAV-ve ka mbaruar më 7 shkurt ndërkohë, që KQZ dha në fundjavë edhe një javë afat për PS-në dhe PBDNJ-në.

Apeli i BE dhe SHBA, edhe ndaj atyre që kanë ndërtuar aksionin politik mbi kauzën e zgjedhjeve të lira e të ndershme është i prerë: “Përqëndrim tek zgjedhjet e 8 majit për të arritur standartet ndërkombëtare”. Kjo sipas tyre është sfida kyçe dhe më e afërt në të cilën do të testohen partitë politike. Por deri tani partitë e opozitës po ecin në gabimet e proçeseve të shkuara zgjedhore, kur asnjëherë anëtarët e komisioneve nuk janë depozituar në kohë.

Diferenca që thellon problematikën kësaj herë është se opozita refuzon të bëhet pjesë e organizimit të proçesit që në tavolinën qëndrore të komisionit kryesor të administrimit të zgjedhjeve, kur anëtarët në kundërshtim me betimin e tyre bojkotojnë sipas lojës politike të partive që i kanë propozuar. Kjo siç do të theksonte kreu i KQZ-së Ristani, është dëshmi e qartë se si forca kryesore në opozitë funksionon sipas një logjike parashtetërore, në kundërshtim me kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregullat e pranuara edhe prej saj.

14 Shkurt 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›