E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-të ndjekin me kënaqësi përparimin e shënuar në luftën kundër korrupsionit

Zëvendësambasadori amerikan në Tiranë Stiven Kristina merr pjesë në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve për SHKB-në e Ministrisë së Brendshme, duke shprehur vlerësimin për përparimin e bërë nga administrata shqiptare në luftën kundër korrupsionit

TIRANE -– “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie shumë të ngushtë bashkëpunimi. Ne e ndjekim me kënaqësi përparimin e shënuar në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në radhët e Policisë së Shtetit”. 
Kështu është shprehur dje Zëvendësambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Stiven Kristina gjatë ceremonisë dhurimit të pajisjeve nga ICITAP për SHKB-në.
Në ceremoninë e dhurimit të këtyre pajisjeve mori pjesë edhe Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, ku gjithashtu ishin të pranishëm edhe drejtuesit më të lartë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme dhe të Programit ICITAP.
“Ecja përpara në një demokraci të shëndetshme kërkon ekzistencën e besimit mes qytetarëve dhe qeverisë së tyre. Ky besim arrihet përmes vendosjes së shtetit ligjor, ligjet e të cilit të zbatohen njëlloj si për qytetarët ashtu edhe për oficerët e policisë”, ka vijuar më tej në përshëndetjen e tij i SHBA-ve në Tiranë, Stiven Kristina.
Zëvendësambasadori i SHBA-ve në Tiranë, vlerësoi më tej punën e SHKB-ës, e cila sipas tij, “ndihmon në përcaktimin e standardeve morale për punën e policisë”.
Për zotin Kristina, bashkëpunimi i punëve midis SHKB-së, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, do të luajë rol në betejën kundër korrupsionit. “Bashkërendimi i punës dhe bashkëpunimi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit do të luajë një rol integral në betejën e vendit tuaj kundër korrupsionit, një përbërës bazë ky i policimit në demokraci.
Shpreh kënaqësinë që ne mundemi të japim ndihmën tonë në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri përmes këtyre pajisjeve që dhurojmë sot”, u shpreh Zëvendësambasadori Kristina.
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani e cilësoi esenciale dhe efiçente, asistencën dhe mbështetjen që është dhënë deri më tani nga qeveria e SHBA për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.
“Ndihma për SHKB-në ka gjithashtu një domethënie të madhe duke pasur parasysh se tashmë për këtë shërbim ka një ligj të standardeve demokratike dhe krahas përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e profesionalizmit  ka mjaft rëndësi edhe përmirësimi i teknikës dhe pajisjeve të saj”, u shpreh Ministri Nishani.
Ministri i Brendshëm theksoi më tej se misioni i SHKB-së është i rëndësishëm për të kontrolluar bazueshmërinë ligjore të veprimtarisë së Policisë së Shtetit si dhe për të luftuar fenomenet e korrupsionit në radhët e saj.
“Integriteti moral dhe profesional i punonjësve të Policisë së Shtetit është mjaft i rëndësishëm për kryerjen e misionit dhe detyrës së policisë dhe për luftën pa kompromis kundër krimit, e po kështu për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Për këto arsye punonjësi i Policisë së Shtetit në raport me qytetarin duhet supervizuar dhe kontrolluar në mënyrë sa më profesionale”, u shpreh Ministri Nishani, duke shprehur njëherazi edhe falënderimin për ndihmën e ambasadës amerikane për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm.
Pajisjet e dhuruar dje për SHKB-ën, janë blerë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë përmes ICITAP-it dhe kanë një vlerë prej rreth 10 mijë dollarë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›