Me Regjister Kombetar te Gjendjes Civile kemi vertet nje shtet modern te ketij shekulli
Në mbledhjen e shkuar, deputeti socialist i Mallakastës së Sipërme paraqiti një propozim të Partisë së tij për një komision ad-hoc për të ndjekur shpërndarjen e letërnjoftimeve, çka u përsërit dhe sot dhe nga deputeti tjetër i Mallakastrës së Poshtëme; Kjo tashmë është miratuar nga mazhoranca pasi çdo masë që ngjall besimin te ky proces, çdo masë që përfshin në mënyrën e duhur edhe opozitën , duhet ndërmarrë.
Por ky propozim i PS, mendoj që këtë parti e sjell në kohën reale të çështjes së Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, të numrit të identitetit për çdo qytetar, të dokumenteve personale që rrjedhin prej tij si letërnjoftimet, pashaportat apo dokumenta të tjerë listat e zgjedhësve, databaza e instuticioneve të tjera që do të koordinohen me këtë databazë qëndrore të shtetit, që është Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile dhe që për herë të parë organizohet në këtë mënyrë unike dhe elektronike.
Dhe është për tù përshendetur që PS po vjen në keto realitete sepse, se gjatë 8 viteve të qeverisjes se saj Rregjistri e te tjerat u premtuan në mënyrë të parreshtur dhe asnjëherë nuk u realizua magjthëse për 8 vite kjo mund të realizohej 3 ose 4 herë .
Mos harrojmë që në vitin 2001 qeveria socialiste e PS prodhoi kartat zgjedhore, një pjesë edhe ua shiti qytetarëve për të njoftuar pastaj që këto karta ishin të pavlefshme dhe mund t’ì mbanin si relike zbukuruese madje ndryshoi kodin elektoral pak para ditës së zgjedhjeve pikërisht për të hequr këto karta zgjedhore si dokument identifikimi.
Kam folur për këtë dhe për paratë e humbura të këtij projekti por është interesante që dhe ministri i brendshëm i një qeverie socialiste të atyre 8 viteve ka thënë për shkak të këtij dështimi 6 milionë dollarë u hodhën në Lanë. Unë vetë nuk besoj se janë hedhur në Lanë, sepse rrjedha e ujit i nxjerr ato në det dhe humbasin vertet por dyshoj se janë hedhur në ndonjë vend ku dikush ka mundur të shkojë e ti marrë. Por do të ishte në përgjegjësinë e qeveritareve socialiste të asaj kohe që janë të pranishëm këtu në sallë të japin sqarime dhe ndoshta dhe të prokurorisë nqs ka kohë që të fillojë të merret me këtë cështje.
Të mos harrojmë edhe demonstrimi e ministrit përkatës të asaj kohe, i cili bubellon edne në këtë sallë, 8 vite më parë kur i dha para mediave numrin e identifikimit, një të porsalindure në maternitet, një foshnje me emrin Blerina. Sot Blerina ka të ngjarë është në vitin e dytë të shkollës fillore dhe deri 11 janar të këtij viti ka qenë e vetmja shtetase e pajisur me një numër të tillë. Procesi që ka filluar më 12 janar me aplikimin për letërnjoftimet, apo siç quhen rëndom kartat e identitetit dhe përmes gjenerimin automatik pajis çdo shtetas me numrin e identifikimit; ashtu si në çdo shtet modern.
Dhe ky është realiteti me të cilin ne përballohemi ne opozita socialiste po në rradhë të parë populli shqiptar.
Por të kujtojmë qëndrimet e Partisë Socialiste në opozitë. Zotërinjtë e saj e kanë shpallur kompani të falimentuar koncesionarin franko- amerikan që po lëshon letërnjoftimet dhe pashaportat, kanë folur për tendera të korruptuar pa përmendur ndonjë fakt dhe kjo nuk është e rrallë. Kanë folur, mbaj mend në nëntor deputetin e Librazhdit i cili pohoi me gojën plot se jo, në janar nuk do fillojë procesi i leter njoftimeve; ka patur deklarime populiste, extreme, por do tí quaja edhe hipokrite nga deputeti i Tepelenes, i cili me rastin e diskutimit të buxhetit propozoi që këto dokumenta të jenë falas. Them populiste sepse kjo nuk ka ndodhur ndonjehere gjetiu; them hipokrite sepse gjatë 8 viteve të qeverisjes socialiste, jo letër njoftimet që nuk ishin në gjendje tì bënin për shkak të mos dëshirës apo paftësisë, por dhe çertifikatat që jepeshin me rradhë të mëdha, me mukajet, me ryshfet ndonjëherë, por që duheshin shpeshherë një herë për të regjistruar pronën, pastaj për t`u pranuar në shkollë, me tutje për t`u pranuar në punë, e për të marrë patentën. Për secilën nga këto herë duhet të mbaje rradhën por edhe të paguaje 500 lekë të vjetra dhe po t`i mbledhësh të gjitha herët që një qytetar detyrohej të paguante, afrohemi të cmimi i sotëm i letërnjoftimit. Megjithatë qeveria vendosi ta subvencionojë për pensionistët, për të papunët, studentët e kategori të tjera, duke iu përgjigjur dhe një shqetësimi popullor, por edhe të PS dhe opozitës dhe mendoj që kemi bërë mirë në këtë pikë,
Duhet të them se mënyrën sesi kanë folur qysh kur ka filluar ky proces nga 12 janari, PS dhe përfaqësuesit e saj, ministri i brendeshem i qeverisë socialiste që përmenda pak më parë dhe që sot drejton seancën plenare e quajti antikombëtar. Është punë e PS tyre tí japin përgjigje një akuze të tillë, por ajo që duket qartë është tentative baltosje e shëmtuar e një procesi historik për shtetin shqiptar. Dhe mendoj që PS bën gabim, gabim edhe për interesin e vet, sepse ka një numer besimtarësh partiakë që e besojnë dhe votojnë atë. Duke e denoncuar këtë proces ,PS thjesht i largon ata nga vajtja në zyrat e gjendjes civile për të bërë aplikimin dhe 2 apo 3 javë më vonë për të tërhequr letërnjoftimin, duke mos i dhënë mundësi që në fund të qershorit të votojnë për partinë që ata lirisht e zgjedhin.
Deputeti socialit i Mallakastës përmendi si fajtor të zgjedhjeve dhe letërnjoftimeve Kryeministrin. Nuk është nevoja ta komentojmë, se në gjuhën e opozitës Kryeministri fajësohet sa herë që bën vapë apo mot i keq. Por nuk e kuptoj pse perflitet z. Fedinand Pone një zyrtar i shtetit që po bën detyrën e tij sipas ligjit dhe programit të qeverisë duke menaxhuar këtë proces. Nuk është nevoja tani që të bëhet edhe më qesharake opozita me akuza të tilla dhe të fyejë njerëzit pa pikë arsye. Unë do të këshilloja, ndoshta nuk është detyra ime ta bëj, por do guxoja ta bëja këtë, që vetë Edi Rama, në mënyrë publike, të ftojë kamerat që i ka përzemër ta bëjë këtë proces aplikimi duke i dhënë mesazhin dhe votuesve të PS, por dhe publikut, se ky është një proces që duhet kryer. N.q.s ai nuk e bën për arsyet e veta, le të delegojë dikë, a Taulantin apo nje deputet tjetër.
Ky do të ishte hapi i duhur dhe jo kritika pa vend për të gjetur kudo të keqen, për të komentuar veresie rradhët, sepse është e pamundur që 4 milionë vetë që presin prej 18 vjetesh të marrin letërnjoftimet të mos prodhojnë rradhë.
Megjithatë, pavarësisht, këto janë vendime të PS dhe mban përgjegjësinë vetë, mban edhe koston vetë, unë do të doja tì përgjigjesha 2 shqetësimeve që janë në të vërtetë legjitime dhe që duhen trajtuar dhe zgjidhur.
I pari është ai i duplikatave në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. PS-ja në pushtet me regjistrin e përkohshëm të zgjedhësve dhe me zgjedhësit me kodin 999 ka bërë namin duke hequr apo duke vënë sipas qejfit personat në këto lista apo duke ja çuar qendërvotimin 5 mëhalla më tutje.
Hera e parë që ky proces është zgjidhur ka qenë viti 2007, sepse regjistri kombëtar i gjendjes civile nuk është si sot, por ka qenë prapë i modernizuar dhe në një periudhë 10 ditore, MB mundi të hiqte duplikatat në listat e zgjedhësve. Sot dublikatat nuk janë 200 000 sa tha deputeti parafolës, por janë 50000 mijë. 45000 prej tyre janë midis njesive të ndryshme (bashki apo komune) 5000 janë brenda të njëjtës komunë apo bashki; brenda 10 ditëve,
Ministria e brendeshme do të njoftojë për eleminimin e duplikatave dhe mbi këtë bazë do të dalin lista zgjedhore të sakta. Ka qenë bashkëpunimi i kryetarëve të komunave dhe bashkive, një pjesë e mirë e tyre socialiste, për të realizuar këtë proces me saktësi dhe besueshmeri dhe reagimi i këtyre komunave dhe bashkive socialiste është një model shumë i mirë, që duhet ndjekur dhe nga partia në qendër.
Dhe shqetësimi tjetër i 730000 personave që nuk kanë pashaporta, është një shqetësim i drejtë i opozitës dhe jo vetëm i opozitës, kuptohet, por vendimi i Këshillit të Ministrave pika 8 e tij përcakton, që këto zonja e zotërinj, që për shkak të moshës, apo arsyeve të tjera, nuk kanë marrë pashaportë, janë prioritarë në pajisjen e tyre me leternjoftim. Unë do të ftoja PS që të rishikonte propozimin e vet, që të bllokonte furnizimin me letërnjoftim të gjithë popullsisë, për të furnizuar vetëm këtë kategori, sepse do të ishte e padrejtë që shqiptarët që e kanë pritur me vite letërnjoftimin dhe pas letërnjoftimit duan të marrin pasaportën biometrike, një pashaportë që përmbush një ndër kushtet e heqjes së vizave të Shengen-it, që ne shpresojmë ta arrijmë brenda vitit 2009.
Ka mënyra të tjera për të bërë të sigurt që ky kontigjent zgjedhësish të pajisen deri në qershor të këtij viti; pasi edhe shtrirja jashtë Tiranës e aplikimeve do fillojë shumë shpejt. Njoftoj që, kryesorja nuk janë komunat dhe qytetet e vogla. Sfida më e madhe për koncesionarin dhe për e zyrat e gjendjes civile, MB e bashkitë përkatëse, janë qytetet e mëdha. Është Tirana, ku ka filluar të shumëfishohen dhe forcat e aplikimit dhe së shpejti do vijohet me Durrësin ,Vlorën ,Shkodrën me Elbasanin dhe me Korçën.
Do ishte shumë mirë që komision parlamentar ad`hoc me përfaqësues dhe nga opozita të bënte vizita të tilla, të komunikonte me zyrtarët tanë, të vizitonte Zyrat e Gjendjes Civile, të fliste me kryetarë bashkie dhe minibashkie të shikonte vetë Qendrën e Personalizimit të menaxhuar nga Koncesionari franko-amerikan ndoshta të vizitojë dhe Hamburgunne Gjermani ku prodhohet pashaporta apo Hollandën ku prodhohet letërnjoftimi sepse vërtet po të shkojnë vetë atje do të mësojne nga ekspertë neutral objektivë se dokumentet tona jane më të mirat që ka Europa, jo se ne jemi detyrimisht më të mirët por sepse kemi fatin që aplikojme teknologjinë më të fundit dhe kemi dokumentet më të mira sot për sot. Jam i sigurt që kjo përshëndetet nga gjithë qytetarët e këtij vendi, dhe shpresoj dhe nga opozitarët e këtij vendi gjithashtu, të ndodhë një gjë e tillë. Më mirë vonë se kurrë.