“Qeveria shqiptare po merr masat e duhura për parandalimin e krizës ekonomike”

Vlerëson Claudio Viezoli, drejtor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Rajonin
Projektet e BERZH për Shqipërinë gjatë vitit 2008 ishin rreth 90 milionë euro. Për këtë vit është përgatitur një plan rindërtimesh rreth 100 milion euro, një pjesë e konsiderueshme e të cilave do të shkojnë për vendin tonë. Këto fonde do të përdoren kryesisht për sektorin e energjetikës, infrastrukturën, biznesin privat dhe për bankat lokale në mënyrë të tillë që ato të vazhdojnë të japin hua
TIRANE - Kriza ekonomike globale do të ketë një impakt më të vogël në Shqipëri. Qeveria shqiptare dhe qeveritë e vendeve të rajonit janë duke marrë masat e duhura që ky impakti, të jetë sa më i vogël.
Këtë vlerësim e ka bërë dje Claudio Viezoli, drejtor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Rajonin gjatë një interviste për një televizion kombëtar shqiptar.
“Lajmi i mirë për vendet e rajonit dhe Shqipërinë është se, kriza do të ketë impakt të vogël në ekonominë shqiptare dhe në vendet e rajonit për dy arsye. E para, rajoni dhe Shqipëria kanë qenë të izoluar në kontekstin e tregjeve financiare, çka ka bërë që kriza t’i prekë këto vende më pak se vendet e tjera të Evropës dhe botës. E dyta, Shqipëria dhe shumica e vendeve të rajonit po adoptojnë masa të mira ekonomike për parandalimin e krizës”, u shpreh Viezoli.
Sipas tij, vendeve të rajonit dhe veçanërisht Shqipërisë i nevojiten të mos ulë ritmin e investime, por dhe financimeve për biznesin.
“Qeveria duhet të vazhdojë me investimet në infrastrukturë, në sektorin e energjisë në atë privat dhe të tjerë pasi këto janë çelësi i rritjes në vend”, u shpreh Viezoli.
Projektet e BERZH për Shqipërinë gjatë vitit 2008 ishin rreth 90 milion euro. Për këtë vit është përgatitur një plan rindërtimesh rreth 100 milion euro, një pjesë e konsiderueshme e të cilave do të shkojnë për vendin tonë. Këto fond do të përdoren kryesisht për sektorin e energjetikës, infrastrukturën, biznesin privat dhe për bankat lokale në mënyrë të tillë që ato të vazhdojnë të japin hua.
Ndërkohë, optimist për efektet më minimale të krizës globale ekonomike në Shqipëri, është shprehur edhe Kryeministri Sali Berisha.
Duke dalë para gazetarëve, në takimin e fundvitit që shkoi, Kryeministri Berisha, u shpreh midis të tjerave se, “janë të gjitha shanset e mundësitë që vitin që vjen të ketë një rritje të shpejtë ekonomike. Sa do të jetë shkalla e ndikimit të krizës globale nuk mund të parashikoj, veçse parashikoj se do të bëjmë çdo përpjekje që ajo të jetë minimale. Nuk besoj që kjo krizë të jetë kaq e qëndrueshme”.
Gjatë të njëjtit takim, Kryeministri shpalli si një nga objektivat madhorë për përballimin e krizës ekonomike globale reformat.
“Duke i shpallur zgjedhjet e ndershme si objektivin më madhor të qeverisë, ju siguroj se reformat, sërish, do të mbeten ‘perpetum mobile’. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për lehtësimin e klimës së biznesit, në mënyrë që kriza që po troket derë pas dere në vende të tjera kësaj herë të na kursejë e të mos ndjehet”, siguroi më tej Kryeministri Sali Berisha.