SHBA-të përshëndesin vendimin e Beogradit për fusnotë

“Shpresojmë se ky do të jetë hap përpara në pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë në takimet rajonale. Ne e përshëndesim këtë”, ka thënë Warlick para gazetarëve në Kralevë.
Sipas udhëzimit të nxjerrë të dielën në Beograd, Kosova, në tubimet rajonale, do të prezantohet në mënyrë asimetrike dhe në të gjitha dokumentet përcjellëse do të qëndrojë fusnota, por që nuk është e obligueshme të qëndrojë në tabelë para përfaqësuesit të Prishtinës.
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Të dyja palët kanë interpretuar ndryshe marrëveshjen, duke bërë që përfaqësuesit e Serbisë shpesh të braktisin organizimet ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit kosovarë.
Marrëveshja parasheh përfaqësimin e Kosovës me fusnotë, e cila përfshin mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë dhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.