E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-të shtojnë Kosovën në listën e vendeve pa taksa doganore

Vendimi i Presidentit Bush iu dërgua Kongresit Amerikan. Programi “GSP” shërben si një urë ndihmëse e vendeve në zhvillim

Blerina Olldashi

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta ndihmojnë dhe përkrahin Kosovën edhe në të ardhmen. Presidenti në largim, Xhorxh Bush, bëri të ditur se shteti më i ri në botë do të shtohet në listën e vendeve nga të cilat mund të importohen mallra pa taksa doganore. Në këtë mënyrë, Kosova do të përfitojë disa lehtësira të caktuara në bazë të programit për Sistemin Preferencial. “Unë kam vendosur që Republika e Kosovës të emërohet si vend në zhvillim që gëzon përfitimet nga programi i Sistemit të Përgjithshëm Preferencial”, - thuhet në vendimin e Presidentit Bush të bërë publik nga Shtëpia e Bardhë. Vendimi i Presidentit Bush iu dërgua menjëherë Kongresit Amerikan. Vendimi ka të bëjë me heqjen e taksave doganore për prodhime të caktuara, të cilat importohen në Shtetet e Bashkuara. Sistemi i Përgjithshëm Preferencial është program i miratimit të lehtësimeve tregtare, të cilat SHBA-të i bëjnë për partnerët e tyre afaristë, në mënyrë që të mbështesin zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve. Aktualisht, programin e shfrytëzojnë më shumë se 140 vende. Në këtë listë do të përfshihet edhe Azerbaixhani, ndërsa Mauritania do të fshihet nga lista e këtyre vendeve për shkak të dështimit në aspektin e progresit në fushën e rregullave ligjore dhe në vendosjen e pluralizmit politik. Programi i ashtuquajtur GSP është krijuar nga Kongresi Amerikan me qëllim që t’u shërbejë si një urë ndihmëse vendeve në zhvillim derisa ato të rrisin pjesëmarrjen e tyre në sistemin global të tregut, si dhe ndihmon konsumatorët dhe industrinë amerikane të zgjerojnë mundësinë e tyre të zgjedhjes. Ky vendim është konsideruar si një proces që do të forcojë marrëdhëniet ekomomike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. “Kosova do të jetë përfituese në kuadër të programit të Sistemit Gjeneral të Preferencave për vendet në zhvillim", - thuhet në letrën që Presidenti Bush u ka dërguar liderëve të dy dhomave të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Blagojeviç refuzon të dorëhiqet: “Jam i pafajshëm”

Guvernatori serbo-amerikan i Illinoisit, Rod Blagojeviç, ka refuzuar të japë dorëheqjen nga detyra për korrupsion duke sfiduar në këtë mënyrë thirrjet e autoriteteve amerikane, përfshirë edhe atë të Presidentit të zgjedhur Obama. Blagojeviç u ndalua javën e kaluar nën akuzën se u përpoq të shiste postin e senatorit të Illinoisit, vend i lënë bosh nga Barak Obama, i cili u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara në muajin nëntor. Guvernatori i përfshirë nga skandali dhe që nuk kishte folur përpara në publik për këtë çështje, vendosi të thyejë heshtjen duke u betuar se do ta pastrojë figurën e tij. Blagojeviç u shpreh përpara gazetarëve në Illinois se nuk ishte fajtor dhe se nuk kishte bërë asnjë vepër kriminale. “Do të qëndroj në detyrë. Do të luftoj deri në frymën time të fundit”, - u shpreh Blagojeviç duke i quajtur akuzat të pavërteta dhe duke shtuar se e vërteta është në anën e tij. Arrestimet erdhën pas hetimeve të thella, gjatë të cilave hetuesit dëgjuan biseda të incizuara mes zyrës së guvernatorit dhe shtëpisë së tij. Një tjetër akuzë ishte për përfitime deri në 7 milionë dollarë nga kompanitë që kërkonin mbështetjen e shtetit në këtë kohë krize financiare.

Zanieri: “Roli i UNMIK-ut do të jetë më tepër politik”

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanieri, gjatë një interviste për media tha se misioni i OKB-së do të vazhdojë procesin e rikonfigurimit ndërkohë që roli i tij do të shndërrohet në një rol më tepër politik. Sipas tij, raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, me të gjitha elementet e tij, po ecën drejt zbatimit dhe sipas tij EULEX-i, pas shtrirjes në të gjithë Kosovën, duhet të marrë përgjegjësitë në fushën e policisë, në bashkëpunim me policinë e Kosovës, por edhe në fusha të tjera. Ai tha se në mungesë të një dialogu të drejtpërdrejtë mes palëve rreth zbatimit të raportit, do të ketë sërish një proces lehtësues ndërmjetësimi në nivel teknik. Shefi i UNMIK-ut tha se diskutimet për specifikat e fushave të ndryshme duhet të zhvillohen në nivel të ekspertëve të të dyja palëve, duke marrë parasysh edhe mendimet e të gjithëve. Zanieri, që mori mandatin në qershor të këtij viti, ndërmjetësoi një marrëveshje të OKB-së me Beogradin zyrtar, e cila u përfshi në raportin e sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun, por që u kundërshtua nga autoritetet në Prishtinë.

Sylejman Selimi emërohet zyrtarisht komandant i FSK-së

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, emëroi dje komandant të Forcës së Sigurisë, gjeneral lejtnant Sylejman Selimin. Propozimi për zgjedhjen e tij u bë nga kryeministri Hashim Thaçi. Gjenerali 38-vjeçar, njëri nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë kandidati i vetëm i propozuar për komandantin e Forcës së Sigurisë. Zgjedhja e tij në këtë post është zvarritur për disa javë për shkak të, siç thuhej, “nevojës për konsultime shtesë ndërmjet krerëve të institucioneve të Kosovës”. Tri ditë më parë, zyrtarë të NATO-s në Bruksel kritikuan udhëheqësit kosovarë për zvarrijet për formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe emërimin e komandantit të saj. Shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Xhanpaolo di Paola, tha se përkundër përgatitjeve që ka bërë NATO-ja për fillimin e rekrutimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, procesi po vonohet për shkak të mosemërimit të komandantit të kësaj force nga ana e institucioneve të Kosovës.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›