SHBA,3.3 mln persona kanë humbur punën

Ekonomisë amerikane vazhdojnë t'i rrjedhin vendet e punës edhe gjatë muajit shkurt, duke e çuar në total numrin e vendeve të humbura të punës në këto gjashtë muajt e fundit në më shumë se 3.3 milionë, që është shifra më e lartë në këto 25 vitet e fundit. Qeveria amerikane raporton se ekonomia e vendit ka humbur 651 mijë vende pune gjatë muajit shkurt, diçka më pak se humbjet e janarit, ku u shkurtuan 655 mijë vende. Muaji dhjetor shënoi gjithashtu humbje më të mëdha me një total prej 681 mijë vendesh, që është shifra më e madhe në një muaj në këto 59 vitet e fundit. Ekspertët e ekonomisë kishin parashikuar një total humbjesh të vendeve të punës prej 650 mijë gjatë muajit shkurt. Ndërkohë që po gjatë këtij muaji norma e papunësisë ka kapur vlerën 8.1 përqind, nga 7.6 që ishte në muajin janar. Kjo është vlera më e lartë e normës së interesit që nga dhjetori i vitit 1983, dhe më e lartë se parashikimet e ekspertëve, që ishin shprehur se ajo do të ishte 7.9 përqind. Një analizë për familjet amerikane tregon se rreth 12.5 milionë persona janë aktualisht papunë, që është shifra më e madhe që kur kanë filluar të bëhen këto studime në vitin 1940. Humbja e vendeve të punës është shtrirë gjerësisht, në sektorë si fabrikat dhe atë të industrisë së ndërtimit. Humbje prej më shumë se 100 mijë vendesh punë janë shënuar edhe në biznese të tjera dhe në sektorin e shërbimeve. Raporti tregon gjithashtu se në këto tre muajt e fundit, 83.2 përqind e industrisë kanë humbur punonjësit, që është një rekord më vete.