SHBARusi, përfundon me sukses shkëmbimi i spiunëve
Dhjetë agjentë rusë janë deportuar nga SHBA-ja si pjesë e një shkëmbimi me katër persona të dënuar për spiunazh në Rusi.
Ky është shkëmbimi më i madhi që nga fundi i Luftës së Ftohtë, me qëllim ruajtjen e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.
Dhjetë agjentë rusë, pesë burra dhe gra, pranuan fajësinë në një gjykatë në Nju Jork dhe u nisën me një avion për në Vjenë. Ata janë shkëmbyer me katër persona që janë dënuar për spiunazh në Rusi. Presidenti rus, Dmitri Medvedev, i ka falur ata në mënyrë që të bëjë të mundur shkëmbimin. Këmbimi i agjentëve mes SHBA-së dhe Rusisë u zhvillua në mesditë në kryeqytetin austriak Vjenë. Sipas informacioneve të disa agjencive të lajmeve, në një aeroport të Vjenës u ulën thuajse njëkohësisht një avion civil nga Nju Jorku dhe një avion ushtarak rus. Në bord të avionit nga SHBA-ja mendohet se gjendeshin dhjetë pjesëtarët e rrjetit të agjentëve të zbuluar në SHBA, në fund të qershorit, si dhe familjarët e tyre. Para një gjykate në Nju Jork, dhjetë agjentët më parë kishin pranuar akuzën e spiunazhit për Rusinë. Pas kësaj, Ministria amerikane e Drejtësisë kishte urdhëruar dëbimin e tyre të menjëhershëm. Në këmbim, Presidenti rus Dmitri Medvedev u fali dënimin katër personave të akuzuar për veprimtari spiunazhi për llogari të Perëndimit. Ndër ta është edhe agjenti i CIA-s, eksperti për energjinë bërthamore Igor Sutjagin. Bëhet fjalë për këmbimin më të madh të agjentëve mes SHBA-së dhe Rusisë që prej fundit të Luftës së Ftohtë. Hera e fundit që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia shkëmbyen në rrugë publike të burgosur, ishte në urën e Berlinit në vitin 1986. Anatoly Sharansky, një disident i famshëm rus dhe tre të burgosur të tjerë u shkëmbyen me spiunë komunistë të ndaluar në Perëndim. Arrestimi i 10 rusëve të akuzuar për spiunazh befasoi shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe në Rusi, kryesisht për numrin e madh të tyre. Tani ata kanë pranuar fajësinë se po komplotonin për të shërbyer si agjentë për një shtet të huaj. Autoritetet amerikane thanë se ata banonin si qytetarë të thjeshtë në një lagje të Moskës dhe spiunuan për disa vjet. Sipas tyre, rusët jetonin dhe punonin qetësisht në Shtetet e Bashkuara për vite me radhë, ndërkohë që në shërbim të spiunazhit rus grumbullonin informata mbi armët dhe politikën bërthamore amerikane. Ata ishin agjentë sekretë të Rusisë, të cilët jetonin në SHBA që nga mesi i viteve ‘90, duke pretenduar se ishin qytetarë amerikanë. Bëhet fjalë për katër çifte që jetonin si burrë e grua, të identifikuar si komplotistë të Bostonit, Yonkers, Seattle e New Jersey, si dhe dy të tjerë me profile më të ulëta. Thuhet se qëllimi i tyre ishte të amerikanizoheshin në mënyrë që të rekrutonin njerëz, të cilët do të punonin për qeverinë apo do të infiltroheshin vetë. Qeveria ruse, me sa duket, u kishte kërkuar të mblidhnin informacione për qasjen e Presidentit Obama ndaj Rusisë, për politikën amerikane në Azinë Qendrore dhe në Iran. Sipas akuzave, rusët ishin pjesë e një operacioni më të gjerë, në të cilin agjentët e përfshirë shtireshin si qytetarë normalë, ndërkohë që kryenin veprimtari spiunazhi.
#