Kosova shton pjesëmarrjet në samitet rajonale, Serbia bëhet mungestare
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Dubrovnik të Kroacisë, ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të liderëve të Europës dhe Amerikës Veriore, “Samiti i Kroacisë 2010”, njofton zyra për komunikim me publikun e Kryeministrisë. Në këtë samit, ku marrin pjesë kryeministra të vendeve të rajonit dhe ministra e zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, Kryeministri Thaçi do të marrë pjesë në diskutimin e çështjeve që ndërlidhen me zhvillimet pas krizës ekonomike globale. Samiti pritet të diskutojë edhe çështjet e sigurisë globale dhe relacionet transatlantike, me theks të veçantë integrimin e vendeve të rajonit në NATO dhe Bashkimin Europian. Bashkëpunimi regjional dhe vizioni për Europën Juglindore është tema tjetër e samitit, ku do të marrë pjesë aktivisht edhe delegacioni i qeverisë së Republikës së Kosovës. Diskutimi në këtë temë do të afirmojë reformat e brendshme në vendet e Europës Juglindore dhe procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Europian. Po ashtu, Kryeministri Thaçi në Samitin e Kroacisë do të paraqesë edhe vizionin dhe angazhimet e qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në NATO, me theks të veçantë plotësimin e pyetësorit për Marrëveshje Tregtare me BE-në dhe përgatitjet e institucioneve kosovare për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Gjatë samitit, Kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime bilaterale me burrështetas të rajonit dhe pjesëmarrës tjerë në këtë samit. Siç kanë bërë të ditur mediat e Beogradit, delegacioni i Serbisë me Presidentin Boris Tadiç, që ishte ftuar për këtë samit, nuk do të marrë pjesë për shkak të pjesëmarrjes së Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
#