SHBA,evakuohen banorët nga përmbytjet

Qindra banorë në Dakotën e Veriut dhe Minesota të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë larguar nga shtëpitë e tyre sot ndërsa ujërat e rrëmbyeshëm të Lumit të Kuq (Red River) arritën nivelin e tyre më të lartë pas 112 vjetësh në një rajon të rëndësishëm bujqësor për prodhimin e grurit. Niveli i ujërave të lumit sot në qytetin Fargo arriti në 12.2 metra, rekord që ishte regjistruar në vitin 1897, ndërkohë që situata pritet të përkeqësohet më tej. "E vlerësuar në terma të katastrofave natyrore që mund të godasin këtë vend, përmbytjet aktuale janë më të rëndat", deklaroi sekretari amerikan për Bujqësinë, Tom Vilsack në një intervistë për agjencinë Reuters në Uashington."Kjo është një tragjedi njerëzore. Mendoj se popullata e Dakotës së Veriut dhe Minesotës ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të përballuar situatën", shtoi ai. Lumi i Kuq rrjedh nga veriu dhe juglindja e Dakotës së Veriut për t'u derdhur në liqenin Winnipeg në Kanada.Qindra banorë janë detyruar të evakuohen nga dy zona të Fargos, qyteti më i madh në shtetin e Dakotës së Veriut, deklaroi një zëdhënës i qeverisjes lokale. Autoritetet kanë evakuar të paktën 100 shtëpi pranë digës së lumit dhe qindra të tjera në zonën e përfshirë nga vërshimi i ujërave.