SHBA,senati miraton planin "Obama"

Senati amerikan ka miratuar paketën 838 miliardë dollarëshe të ndihmës, e propozuar nga administra e presidentit Barak Obama, që synon rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Senati i kontrolluar nga Partia Demokratike, ka dhënë ok për planin e ri të shpëtimit, me 61 vota pro dhe 37 kundër, megjithë kundërshtimet e republikanëve. Negociata të forta priten këto ditë, në kuadër të koordinimit të masave të Senatit, pas kalimit të këtij legjislacioni nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan dy javë më parë. Presidenti Barak Obama kishte deklaruar më herët se paketa e re e ndihmës do të krijonte më shumë se katër milionë vende të reja pune dhe do të ndikonte në ringjitjen e ekonomisë, tashmë në kolaps, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti i ri i SHBA-së, ishte shprehur se kërkonte që paketa e miratuar nga të dyja dhomat e Kongresit amerikan, të arrinte në tavolinën e tij të punës përpara datës 16-të shkurt. Masat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit amerikan janë shumë të ngjashme, por ka diferenca të mëdha për mënyrën se si do të shpenzohen programet federale mjekësore dhe për shpenzimet e tjera prioritare. Megjithëse marrëveshja e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve synon të shpërndajë më shumë para për shkollat, qeveritë lokale dhe shtetet individuale, ajo e Senatit i kushton më shumë vëmendje shkurtimit të taksave. Ndërkohë Sekretari i Thesarit Timoti Geitner ka lajmëruar për një plan të ri prej 1.5 trilionë dollarësh. Geitner tha se administrata e re do të zhvillojë betejë agresive në dy fronte kundër krizës më të rëndë financiare në shtatë dekadat e fundit. Por investitorët duket se nuk e kanë pranuar planin e fundit të qeverisë.