E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë,Sejdiu dekreton misionet diplomatike

Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu ka dekretuar të martën themelimin e tetë misioneve diplomatike dhe nëntë misioneve konsullore të Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në Kushtetutën dhe në Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe pas konsultimit me kryeministrin Thaci, presidenti Sejdiu ka dekretuar themelimin e Misionit Diplomatik në nivel ambasade në shtetet e Sllovenisë, me seli në Lubjanë, Kroacisë, me seli në Zagreb, Mbretërisë së Holandës, me seli në Amsterdam, Mbretërisë së Suedisë, me seli në Stokholm, në Republikën Çeke, me seli në Pragë, Hungari, me seli në Budapest, Bullgari, me seli në Sofje dhe në Japoni, me seli në Tokio. Gjithashtu, Sejdiu ka dekretuar themelimin e misioneve konsullore në: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar, në Francë, Gjermani, Itali, Zvicër, Austri, në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Suedi. Dekretimi i misioneve diplomatike dhe nëntë misioneve konsullore të Republikës së Kosovës ka hyrë në fuqi menjëherë, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme është udhëzuar të ndërmarrë të gjitha veprimet për zbatimin e këtij dekreti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›