SHEF NE BURG
Vaid HYZOTI
Hoze më mbërtheu për gryke dhe më ngjeshi në rrëzë të murit. Turfullonte. Më ngjeshi një të shpejtë poshtë mjekrës dhe më shihte me sy të çakërritur. Hë, pret të të përshëndes, ë? Pret të të buzëqesh, të ngre pëllëmbën mbi tëmtha e të them: Goodmorning, shef! A nuk e di se për tre muaj dal në pension? Jam propozuar për t’u dekoruar. Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut do të marrë pjesë. Se kam punuar tërë jetën me nder, s’kam asnjë vërejtje, asnjë shkelje, asnjë vonesë në orar... Jo pak, por 32 vjet.Dhe më vjen ti nga një humbellë e Europës, ku njerëzit nuk kanë ç’të hanë, nuk kanë brekë për të veshur... Më vjen ti të më humbësh dekoratat, nderin tim... Dhe pret të ngre pëllëmbën mbi tëmth... pret që të... na pëllëmbën, na dhe një, dhe një, dhe një...
“Aman, jo me pëllëmbë!Më gjuaj me grusht më mirë!”, lutesha unë.
“Ke mësuar dhe metodat e mia,ë?”
Dhe Hoze vazhdonte të më qëllonte. E ndjeja në shpirt dhimbjen, kuptoja buhavitjen e turirit tim, por asnjë pikë loti nuk po më dilte, ndonëse Hoze nuk kishte të ngopur. Më qëllonte dhe fliste me vete a me mua, nuk e kuptoja, por nuk priste përgjigje, sepse sa matesha të flisja, ma ngjeshte me një tjetër.
Ishte polici më i vjeter që punonte në drejtorinë e burgjeve. I ardhur nga Porto Riko që i vogël, kishte filluar punë në fillim si sanitar e pastaj për më shumë se 25 vjet gardian burgu. I qeshur me eprorët e nursës me të dënuarit, e përcaktonin rëndom të gjithë. Kur drejtoria e burgjeve dhe e të dënuarve me kusht, pra sa për t’u paraqitur, u nda më vete në një godinë tjetër, dikush u kujtua që ta merrnin edhe Hozenë si polic te skaneri në hyrje, mos ta linin më te të burgosurit. Hoze krenohej se e quante si ngritje në përgjegjësi, se të paktën nuk ishte më me të burgosurit, por me të dënuarit me kusht dhe me shokët e drejtorisë. Atë njoha të parin, kur më emëruan atje. Kuptohet që unë, një refugjat pa letra të rregullta qëndrimi në Amerikë, nuk mund të emërohesha si punonjës drejtorie, por si i thonë këtu, isha super, përkujdesesha për kondicionerët, ujin e ngrohtë e të ftohtë, bëja ndonjë lyerje të pjesshme kur të dënuarit shfrynin mllefin, udhëzoja e kontrolloja dy punëtorët e pastrimit që kisha në varësi, për pastrimin e zyrave, banjove, korridoreve... Pra, punonja për bosin e godinës së dhënë me qera drejtorisë së burgjeve, por edhe kjo mjaftonte që Hoze të më thërriste shef. Ja, edhe tani e ngriti pëllëmbën, jo për të më qëllua, por të më përshëndetur: Goodmorning...
Kur agjensia e punësimit më emeroi këtu, unë refuzova. Kërkoja punë me ngulm, se xhepi ishte holluar dhe kisha filluar të kruaja astarin, por një punë të qetë, si të thuash, roje në derë, bojaxhi, shkurt, sa më larg turmës së njerëzve zyrtarë. Dhe jo të punoja te burgjet. Në njëfarë mënyre, po t’i hyje hollë-hollë, tek ato dy dhoma ditore izolimi që ishin këtu për raste emergjente, fare mirë mund të më mbyllnin edhe mua e mund të thërrisnin Hozenë të bënte detyrën e tij. A nuk isha dhe unë një shkelës i ligjit? Gjyqet i kisha humbur të gjitha, kisha vetëm një numër pune, por mund të më arrestonin.
Një ditë më lajmëruan se kishte defekt lavamani në një nga dhomat e izolimit. I shoqëruar nga Hoze, shkova e kontrollova. Mos të kisha shkuar më mirë! Të ndaluarin e asaj dite e njihja, një inxhinjer nga qyteti L., i cili si dhe unë kishte humbur të gjitha gjyqet dhe ishte i urdhëruar të largohej. E kishte djalin në klasën e tretë fillore me djalin tim. Eshtë shoku im nga Albania, më tha djali. Dhe vazhduan të komunikojnë anglisht me njëri-tjetrin.
-Hi! - e pershendeta në anglisht.
-ǒi flet këtij dhe e përshëndet, - u hodh Hoze.
-Si je, këtu punon ti, - më foli në shqip.
-E kam nga vendi im, -sqarova në fillim Hozenë, pastaj iu ktheva edhe pyeta pse e kishin ndaluar.
-Kur s’ke letrat në rregull,çfarë nuk pret. Isha me makinë duke u kthyer nga puna. U futa me të verdhë. Ne s’kemi kurrë shans, se një polic po ruante në kthesë. Më kërkoi dokumentat, seç dha e mori në kompjuter. Doli me sa duket se isha për t’u deportuar dhe po pres të më hipin në avion...
U ndjeva keq. U ula poshtë lavamanit, gjeta vendin nga rridhte uji, pastaj pak ngjitëse dhe pe. Rregullova lavamanin, por seç më rridhte perbrenda. Pata një boshllëk.
-Më bej një nder: merr në telefon ndonjë nga shtëpia jote. Të hidhen deri nga të mitë. T’u thonë që të mos rrinë për dy-tre net në shtëpi, por të shkojnë nga xhaxhai i gruas. Se unë do ta gjej një mundësi prapë dhe do të kthehem këtu...
Ia premtova dhe menjëherë lajmërova time shoqe. Tërë atë natë nuk më mori gjumi. Në qelinë ku ndreqa lavamanin, nesër mund të më mbyllnin mua. Mjaft që të gjendej ndonjë pretekst. Ua thashë këtë ngjarje dy shokëve të mi, Yllit e Rolandit. Në fillim ata shprehën keqardhje, pastaj gjithçka u kalua në humor. E di, tha Ylli, për ty kam dëgjuar të thuhet se je spiun i emigrejshit, se i jep të dhëna burgut për adresat, informon për pasaktësi dokumentashh...Duhet të të paguajnë mirë.
-E ç’të keqe ka të jesh spiun i Amerikës? Këtu spiunët marrin goxha pagesë. Meqë jemi te hesapi, a na i paguaj të gjitha sot? - e mbështeti Rolandi, se donte t’i shpëtonte radhës.
Nuk ua mora për keq shakanë, por i thashë të vërtetën se nuk e di përse po ma vononin aq shumë çekun...
- Këtu eshtë hileja e çifutit që të ka marrë në punë, -s htynë më tej humorin ata, - sapo t’u kërkosh çeku, lajmërojnë të të arrestojnë.
Çeku kishte vonuar për një burokraci të zakonshme të postës. Dhe unë vazhdoj ende punë në drejtorinë e burgjeve. Hoze vazhdon të ngrejë atë pëllëmbën e tij si tapanxhë mbi tëmtha. Deri kur?.. Kur do të vijë dita që pëllëmbën mos ta ketë për përshendetje. Unë duhet të punoj, të ha, të paguaj rentën e shtëpisë, shkollën për vajzën. Të paguaj gjithçka që nuk munda t’i siguroj në vendim tim. Ja, Hoze më përshëndet ende: Goodmorning, shef.
23 Nentor 2008