E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nusja amerikane e Mario Soldatit

Me botimin e romanit Nusja Amerikane, nga shtëpia Gaid Margot për herë parë në shqip, vjen Mario Soldati, njëri nga artistët me kontributin më të madh në mrekullinë kulturore të Italisë së viteve ´60. Soldati është i vetmi që e ka pasë merak me shpre

Astrit CANI

I lindur në Torino më 1906, Mario Soldati e jetoi nga fillimi në fund ’900-tën dhe me realizëm dëshmoi për të gjithë shekullin e shkurtër (siç e quan Hobsbawm) italian, derisa mbylli sytë në një fshat të Ligurias, më 1999. Ai qe njëherit një ndër njohësit më të mirë të atdheut të vet dhe shkrimtari më kozmopolit i këtij vendi. H. Furst, duke recensuar librin e tij “America, primo amore”, thotë: “here at last we have a young European who has been ‘formed’ in the United States, without at the same time ceasing to be in every pore a real European.” Soldati pat shkuar në Amerikë me një fellowship të fituar në vitin e tretë të universitetit. Atje pati rastin me dhanë mësim në një kolegj, në moshën kur njeriu normalisht nxë. Nga Amerika u kthye me një peng, pse nuk ishte bërë nënshtetas amerikan. Por kjo përvojë disa vjeçare, e shenjoi përgjithmonë dhe i vlejti së paku dy kryevepra: “America, primo amore” dhe “La sposa americana”. Ishin vitet ’30. Në historinë e letrave të bukura italiane, nga Pavese ky dhjetëvjeçar u quajt me të drejtë dhjetëvjeçari i amerikanëve. Të gjithë përkthenin letërsi anglo-amerikane. Mondadori nxori kolanën “Medusa”, një perlë e botimeve europiane, ku dolën me radhë kryeveprat nga “Plaku e deti” te “Lolita”. Nga Montale tek Elio Vittorini, angazhimi për pasqyrimin dhe prumjen e letrave më të mira amerikane, ishte i plotë dhe i sinqertë.
Soldati u martua dhe u vendos në Romë, duke qenë i laureuar në Histori Arti. Falë Emilio Cecchit, filloi punë si skenarist dhe, pavarësisht se në një kohë të parë u pushua nga puna për dështimin e një filmi, karriera e tij në dritëshkrojë qe e admirueshme. Angazhimi në televizon solli mandej disa nga programet më klas të fillesave të ekranit të vogël. Ai kaloi shpejt te regjia filmike, dhe karriera e tij si regjisor u siglua në Kanë, me çmimin e parë për një komedi të firmosur nga ai, më ’59. Pra Soldati ishte në zemër të zhvillimeve kulturore si në vitet ’30, vite që gjithsesi mbetën disi të cënuara nga fashizimi, ashtu edhe në vitet ’60, që konsiderohen gjerësisht si më të shkëlqyerat e kulturës italiane për shekullin e kaluar. Në këto vite të mrekullueshme, Italia pati katër qytete me rëndësi europiane: Romën, Milanon, Torinon dhe Napolin. Kjo ishte ajo që Kundera e quan: Europa e Felinit. Që të katra këto qytete u bënë qendra të mobilitetit social të epokës së industrializimit, duke pritur miliona punëtorë e studentë nga Jugu. Kaq ngjarje i duhej letërsisë.
Për të folur për Soldatin shkrimtar, ndoshta mjaftojnë edhe vetëm këto dy citime. Natalia Ginzburg thotë: “Mes shkrimtarëve italianë të nëntëqindës, Soldati është i vetmi që e ka pasë merak me shprehë, në mënyrë konstante e gjithmonë, gëzimin e jetës. Jo qejfin e jetës, por gëzimin; qejfi i jetës është ai i turistit që viziton vendet e botës, duke ia shijuar gjërat e qejfit dhe qylet, por duke i anashkaluar ose duke u ikur anëve mjerane, ose të sëmura, ose mizore; gëzimi i jetës nuk i ikën asgjëje dhe askujt: e sodit universin dhe e eksploron në mjerimin e vet dhe e fal.” Ndërsa Pier Paolo Pasolini:“Lehtësia absolute e shkrimit të Soldatit domethanë vëllazëri. Raporti i tij me lexuesin nuk është autoritar, por shpirtbutësisht vëllazëror.”
Stili i Soldati është pamor, në thelb ai i jep tablotë narrative me qartësinë e një plani filmik. Me siguri që në këtë drejtim u detyrohet mjaft amerikanëve të mëdhenj, dhe nuk është nevoja të përmendim emra. Hetimi i hollë psikologjik, estetizimi i gjestit, fiksimi kronikal i faktit, dialogu ritmik, bëhen kompensot e ftohta që shkrimtari u aplikon personazheve të tij, të jetësuar prorë në çaste thyerjesh ekzistenciale. Nuk ka ekuilibre burimore: ky është një ndër zbulimet e Soldatit shkrimtar. Jeta përbëhet nga ekuilibre shumë të brishta, gjithë e më të brishta sa më shum të forta e të qendrueshme të duken ato në pamje të jashtme.

Romani “Nusja amerikane” që mban këtë titull sugjestiv për evropianin e lëçitur, dhe kinematografikisht poetik, është një poemë e dhimbshme e moraliste mbi dyzimin e pashmangshëm të psikës njerëzore, mes eterit e koitos, mes shkollës e jetës, mes moralit dhe estetikës. Mes brutos si energji parake (fillimore) e pamundësisë për ta konkretizuar atë që është dashuria e vërtetë, për të cilën na kandis vetëm vdekja.
Editi, nusja, është një vajzë amerikane e nënproletariatit, një kameriere e dashuruar sinqerisht me një njeri sa celebral aq edhe aventurier, sa profesor aq edhe injorant... Edit Sladek, me origjinë çeke, një bjonde e brishtë dhe e fuqishme njëkohësisht, grua dhe zojë, stoike dhe vashërore, është personazh i një bukurie dhe i një realizmi të jashtëzakonshëm. Editi është prova se dashuria e vërtetë nuk ka nevojë për fjalë, gjithçka kupton e fal gjithçka. Thjeshtësia është virgjëria e saj. Vonesa jonë për ta kuptuar, është i vetmi mëkat kapital. Se, sikundër thotë John Fante, “e vetmja mënyrë me kuptue asht me dashtë dhe e vetmja mënyrë me dashtë asht me kuptue”.
Nga ana tjetër, Ana me rrezëllimin e saj magjepsës, kompromentues, fatal; stella oscura; italo-amerikane, sensualissima, një kokote e lindur për të qenë dashnore mjeshtrash, një primadonë, një universitet i erotikës, një perlë njelmëtie e detit Mesdhé, me baticat e saj, me ekstazat e saj, me delirin e saj, me lakminë e saj për pare e sukses, me nënshtrimin e saj psiko-fizik ndaj american lifestyleit. Sa e bukur aq edhe rrënuese, sa e hidhur aq edhe e ëmbël, sa inteligjente aq edhe egoiste, sa karrieriste aq edhe e frikësuar nga jeta...
Mes këtyre dy zjarreve, njëri sensuale tjetri parajsor, professor Edoardo me origjinë nga Torinoja bëhet zëri i Soldatit për të dëshmuar se perëndimori, që bie pré e disa komplekseve të shekullit të XX, është një qenie që nuk e zotnon perceptimin, por zotnohet prej tij; përballë zgjedhjes mbetet mjerisht i dyzuar, i ndamë, skizofrenik; përballë instinktit mbetet i pacivilizueshëm, përballë ideales - i paklasifikueshëm, përballë paqes - pa ekuilibër dhe përballë fitores - pa nder. Soldati nuk bën për asnjë çast moralistin, amà, përmes realizmit të tij të pastër deri në dhimbje, si akull që djeg, ai na sfidon të pranojmë se ne prorë e dimë se ku qëndron e mira, dhe prorë anojmë nga e keqja; prorë e dimë se cilat janë ndjenat tona të vërteta, e prorë arratisemi prej lirisë, si prej vetëdijes.
Me romanin “Nusja amerikane” (i biri e ka bërë film në ’86, me interpretimin e Stefania Sandrellit dhe Harvey Keittel), Soldati na kumton gjithaq se ndoshta çdo gabim që bëjmë, e bëjmë se përpiqemi me ekzorcizue vdekjen. Dhe ndoshta ky është i vetmi gabim. Por pa të nuk ka jetë. Mos me e ba këtë gabim, domethanë mos me egzistue. Dhe, siç ka qenë një titull i dikurshëm, nga filmat që zgjidhte për ekranin tonë A. Bejzade, “Dashuria është një lojë për të fituar kohë”.
Të gjitha këto, dhe motive të tjera, më shtynë t’i hyja shqipërimit të kësaj vepre.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›