E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasqyra e Petro Markos

Një kujtim moral nga shkrimtari

Zija ÇELA

Kam një kujtim të vogël nga Petroja. Në fillimet e viteve ’90-të, një ditë po ecja prapa Muzeut kombëtar përgjatë trotuarit. S’di çfarë bluaja me vete, ndoshta diçka për jetën, ndoshta diçka për letërsinë, por siç ndodh nganjëherë, po ecja si të kisha një gur të varur në qafë. Papritur, dëgjoj një zë që më thërriste në emër. Matanë rrugës, në krahun nga Piano-Bar, shoh Petro Markon me një dosje të vogël nën sqetull. Ma bëri me dorë dhe më thirri prapë në emër, duke pandehur se nuk po orientohesha.
Sa u mata të shkoja drejt tij, ai burri Petro Marko, gjithë përndritje prej diellit që rrihte andej, e përshkoi rrugën mes për mes, më zuri nga të të dy krahët dhe m’u drejtua:
“O filan, ti s’ke pse të ecësh me kokën ulur, ngrije pra. Ta them unë, ty të ka hije të ecësh me kokën lart.”
Edhe buzëqeshi. Në fytyrën e tij gjithë gdhendje, në tonet e bronzit të vjetëruar, buzëqeshja ishte si një dritë në muzg.
S’di përse, në ato çaste m’u kujtua tregimi i një autori të huaj, i cili rrëfen diçka nga përvoja e vet. Po shëtiste me kokën poshtë një mbrëmje, dikush e merr nga krahu, e çon në librari dhe, thua se shkrimtarit nuk i mjaftonte trishtimi i vet, e zhyt edhe më zi: Përse shkruan, ç’nevojë kemi ne që të shkruash, a lexon kush dhe sa lexojnë, e sheh sa libra ka këtu, kujtohesh sa libra ka në botë, dhe e di qëkur kanë filluar, të gjitha janë thënë dhe gjë prej gjëje s’ka mbetur për t’u shkruar… Pastaj në rrugë, duke e parë edhe më të rënduar, shkelmon rolin e Djallit e ndërmerr atë të Engjëllit: Po unë prandaj të ndalova, or mik, se po të shihja kokulur; ç’të ka gjetur kështu, mos e ke lëshuar veten, zotrote?! E përse ta lëshosh veten, or mik? Shkruaj, patjetër shkruaj, ti duhet me doemos të shkruash, sepse midis atyre mijëra e miliona titujve, librat e vërtetë nuk homogjenizohen, shkrimtarët e racës kanë shenjat të papërsëritshme dhe ti, ti bën pjesë pikërisht…
S’e pyeta Petron nëse e kishte lexuar këtë tregim të Buzzati-t. E lashë të fliste. Më tha se, pas ndonja një jave, do të bënte një udhëtim në Greqi, andej i kishte dalë një trashëgimi dhe ai shpresonte se mund ta merrte. Pastaj m’u kthye tërë dalldi, me ca fjalë që deri atëherë nuk m’i kishte thënë askush:
“E po të kem unë, ta dish, do të kesh edhe ti. Do të kesh patjetër, filan!”
Ishim ndarë tashmë, kur në një largësi prej disa hapash, kuturisi sërish të më thërriste në emër. Më bëri një shenjë për kokën lart dhe, meqë ndodheshim në anën pa diell, i dha fytyrës dritë me buzëqeshjen e tij: “Të ka hije, mos harro!”
Fola deri këtu me pasqyrën nga vetja, sepse ajo gjendej në dorën e tjetrit. E tash që është në dorën time, fytyra e mikut më mjegullohet nga malli. Them me vete: Po, Petro Marko më ka dashur.
E shtoj pastaj: Ne kështu gabojmë shpesh, presim që të na duan dhe që fluksi i dritës të bjerë mbi ne. E si të mos mjaftojë kaq, më vjen të them me zë: A kemi ditur ne ta duam Petro Markon sa ishte gjallë, ta duam sa na ka dashur? A dimë ta duam makar pas vdekjes, apo tash është vonë?!.. Sa shumë po heshtin kolegët e mi, thua se në letrat shqipe sot nuk ndodh asgjë dhe s’ka më njerëz për t’u dashur. E këtu hyn edhe ekzibicionizmi, pozat për ta vënë në dyshim të vërtetën pa pasur nevojë, dhe nevojën shthurëse për ta shpallur dyshimin si të vërtetë, pa i besuar as vetë. Nëse dinjiteti nuk është gjithnjë virtyt i lindur, as egoizmi dhe mjerania nuk janë gjithnjë të justifikuara, pavarësisht nga trysnitë e realitetit.
Sidoqoftë, për t’u dashur gjithmonë ka kohë. Për njerëzit e Letrave nuk është koha që e bën dashurinë, por është dashuria që e bën kohën.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›