SHENIM/ Berisha e Basha janë duke bërë një lojë të rrezikshme
Para ca ditësh, në një takim me banorët e Kamzës, Berisha u është drejtuar këtyre të fundit me fjalët: Rama ju ka quajtur shpellarë juve, dhe prandaj ai nuk e meriton votën tuaj. Në fakt, nuk rezulton që Rama ta ketë thënë këtë gjë. Askush nuk ka nxjerrë nga arkivat ndonjë frazë të Ramës që përcjell këtë mesazh. E prandaj, një propagandë e tillë është me natyrë thellësisht përçarëse.
Por Berisha është i vendosur të ecë në këtë rrugë, me sa duket. Sot ka dalë fajkoi i tij, Lulzim Basha, që këtë herë nuk e ka mendjen tek votat e veriorëve, por te votat e myslimanëve. Ai sot ka synuar ta armiqësojë Ramën me myslimanët. Rama për 11 vjet zgjodhi të mos e ndërtojë xhaminë dhe [ky fakt] lind nga paragjykimet që ky njeri ka për Komunitetin Mysliman, është shprehur Basha.
Kjo propagandë elektorale është shumë e rrezikshme. Zotërinj politikanë, komunikoni me zgjedhësit, e lërini mënjanë gegët, toskët, myslimanët apo të krishterët!
http://respublica.al/artikuj/2013/06/05/shenim-berisha-e-basha-jane-duke-bere-nje-loje-te-rrezikshme