SHENIM/ Po nuk folëm për këtë çështje, pse llomotisim kot?
Nëse do e përmblidhje me pak fjalë intervistën e mbrëmshme të ish- ambasadorit amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, do të arrije në përfundimin se thelbi i saj ishte nevoja për zgjedhje të lira. Thirrja e tij ishte për qytetarët që të dalin e të mbrojnë votën e tyre. Nuk komentoi as Ramën si kryeministër të ardhshëm dhe dukshëm e akuzonte Berishën se po mbledh shumë pushtet pasi nuk ka frikë nga ndryshimi me votë. Sepse nëse ndryshohen me votë, qeverisin më ndryshe.
Kur mendon rëndësinë që ka vota në demokraci, të flasësh për gjëra të tjera të duket si një vrimë në ujë. Sepse po zbulove që Berisha po bëka kërdinë me hidrocentralet, pa folur për votën, siç bën analisti Fatos Lubonja është sikur të nxjerrësh ujë me gota nga një varkë që mbytet. Të ngjan me Aleksandër Frangajn, që në studion e televizionit të tij u klithte shqiptarëve dhe analistëve se Berishën duhet ta kritikojmë për legalizimet e jo për këto problemet e tjera.
Nëse nuk flasim gjithë kohën për vjedhjen e zgjedhjeve, sidomos për grabitjen e mandatit të Tiranës me transparencë përpara syve të të gjithëve, kot që flasim. Vetëm llomotisim!