SHENIM/ Po për vendimin e 21 Janarit pse nuk hidhesh përpjetë si për foton?
Pak minuta pasi u dha vendimi i 21 Janarit në Gjykatën e Apelit, një nga familjarët e viktimave, Zabit Deda, tha se gjyqtarët janë kriminelë.
Gjykatat këtë punë kanë prej 3 vjetësh. Nuk do të munden ti fshehin vrasjet. Ne i dimë, i kemi, parë, në e dimë kush i ka vrarë. Gjyqtarët janë kriminelë, edhe ata që kanë dhënë urdhër, dhe atë që i kanë vrarë njerëzit në bulevard janë kriminelë, tha ai.
Por ndërsa opinioni publik ziente, Bujar Nishani, President i vendit dhe kryetar i KLD-së, fliste për pavarësinë e gjyqësorit.
Gazetari investigativ, Artan Hoxha, e komenton kështu këtë skenë.
Më ushtojnë ende veshët nga fjalimi propagandistik, qesharak dhe ironik deri në tallje i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, gjatë mbledhjes së KLD-së, vetëm disa orë përpara se të jepej vendimi. Një President që kërceu deri në tra, pse i hoqën nga muret e shkalafitura të institucioneve shqiptare foton e vet (të cilën nuk e mbanin në mur as drejtuesit e partisë, te e cila ka milituar derisa u zgjodh president). Besoj, teksa ka dëgjuar verdiktin e treshes së gjyqtarëve, të jetë ndjerë i kënaqur dhe kontribuues në këtë vendim që konfirmoi turpin e sistemit gjyqësor, që kryesohet prej vetë Presidentit.
Shpresoj që Presidenti të jetë i kënaqur me pavarësinë politike që kanë treguar ndaj mazhorancës së re, gjyqtarët e dekretuar së fundmi prej tij. Fundja, kur shijon momente të tilla pavarësie politike, është shumë më relaksuese për Presidentin sesa të ndjejë në hundët e tij shijen e tymit që lëshonte trupi i shkrumbuar i gjyqtarit Skerdilajd Konomi, mbi varrin e të cilit u betua solemnisht se vrasësit nuk do ti zinte i lirë mëngjesi./ep