SHENIM/ Topallit i bën dëm Amerika. Kryetarja e Kuvendit flet me unë në emër të maxhorancës
Gjeni më poshtë dy shënime, një të përgatitur nga redaksia e politikës e gazetës Tema dhe një përgatitur nga redaksia e blogut respublica.al, për daljen e sotme në një konferencë për shtyp të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Topallit i bën dëm Amerika
Nga tema.al
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njësoj si kryeministri Sali Berisha, i cili sa herë del jashtë vendit kthehet e na tregon se çfarë ka bërë, doli në një konferencë për shtyp për të treguar për vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meqë kujtojnë se kanë ekskluzivitetin e informimit, Topalli foli për një vizitë ku ajo dukej protagoniste. Në të vërtetë ka shkuar në një takim me drejtues të parlamenteve të vendeve të botës së tretë, organizuar nga Kongresi. Aty ka pasur mundësi, siç ndodh rëndom, të takojë edhe kreun e Kongresit amerikan. Drejtuesit e parlamenteve të botës së tretë u thirrën aty për tu dhënë eksperiencë se si duhet bërë parlamenti. Por për ters, Topalli i kish marrë gabim krejt mësimet. Ndërsa gjithë Perëndimi është çmendur pas ndryshimeve që ka bërë ajo në rregulloren e Kuvendit dhe mënyrës se si drejton legjislativin shqiptar, ajo u kundërvihet duke thënë se po vepron njësoj si në SHBA, ku gjithçka bëhet transparente (na çmendën me këtë fjalë). Më pas tha se bllokimit të Kuvendit i duhet dhënë një grusht, duke iu referuar mesa duket një shprehje të presidentit amerikan, Barak Obama, kur i kishte ardhur në majë të hundës për shkak të ngërçit me opozitën për çështjen e borxhit. Mirëpo ndryshe nga Obama, Topalli ia fut vërtet grusht opozitës. Të shkosh në SHBA e të kthehesh me këtë mendje, nuk ka ku shkon më rëndë. Shkoni në SHBA e kthehuni më të përulur, njësoj siç keni qëndruar përpara zëvendësndihmësave të sekretarëve amerikanë, të vetmit zyrtarë që ju presin në zyrat e demokracisë më të madhe në botë.
E pabesueshme: Topalli flet me unë në emër të maxhorancës
Nga respublica.al
Jozefina Topalli është e para në kampin demokrat, që merr përsipër të flasë në emër të maxhorancës në titull personal, duke folur në vetë të parë. E ka bërë sot në konferencën për shtypin në përfundim të një vizite rutinore në SHBA, së cilës është përpjekur ti japë përmasa folklorike, jo duke shpjeguar vizitën dhe ndonjë takim, por duke përshkruar performance-ën e vet. Unë u fola kongresmenëve amerikanë për demokracinë në Shqipëri, për mrekullinë që ka bërë liria dhe për transformimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë, tha ajo përpara gazetarëve. Më tej përmendi një shprehje të Presidentit Obama (Bllokimit i duhet dhënë grushti), të cilën një dreq e di se ku e ka lexuar, pse është thënë dhe në çkontekst është thënë. Nëse është thënë, kuptohet, pasi në të vërtetë nuk duket si shprehje që ka kuptim në gojën e një presidenti amerikan në kontekstin amerikan. Është e lutur të na e thotë se ku, kur e si e ka thënë Obama këtë frazë.
E pyetën lidhur me paketën e propozimeve të opozitës në funksion të futjes në binarët e korrektesës të aktivitetit parlamentar, dhe ajo bëri disa hapa prapa nga qëndrimi i fundit. Nga Washingtoni e refuzoi idenë e adoptimit të praktikës së votimit të fshehtë, ndërsa sot tha, se nuk e kishte ende në dorë propozimin e opozitës, por se ishte e hapur ta shqyrtonte (vini re dhe njëherë përdorimin e përemrit unë). Dhe më tej vijoi duke folur si gjithnjë në titull personal, në emër të maxhorancës: Nuk mund të rrëzoj dicka që nuk e kam në dorë. Kryetari i kuvendit është i hapur dhe mirëpret çdo iniciativë që çon në përmirësimin e standardeve.
Është pak e pabesueshme, apo jo? Të gjithë e dinë se Topalli s’ka asgjë në dorë në këtë mes. Dhe në fakt, paketa e propozimeve nuk i drejtohet asaj. I drejtohet maxhorancës, dmth Berishës, i cili duke filluar nga sot nuk do të jetë në Shqipëri për ca ditë. Mos ndoshta kjo është arsyeja që Topalli merr guximin të flasë me unë në emër të maxhorancës?
* http://respublica.al/artikuj/2011/9/19/e-pabesueshme-topalli-flet-me-une-ne-emer-te-maxhorances