E Diel, 1 Nëntor 2026

SHENIM/ Vetëm një njeri i kapur vepron në këtë mënyrë

Share

Nuk janë gjë mbledhjet e Byrosë Politike. Pamjet e mbledhjes së sotme të Komitetit Shtetëror për ndërtimin e parlamentit të ri ia kalojnë me shpejtësi atyre. Një grup shtetarësh ishin mbledhur për të vendosur për projektin fitues të parlamentit të ri. Çfarë kishte ndodhur? Para pak ditësh, Berisha me mendjen e tij kishte rrëzuar projektin fitues për parlamentin e ri. Fituese ishte shpallur një studio që ishte paracaktuar si e tillë falë lidhjeve me Wolfgang Grossruck, drejtues në Asamblenë Parlamentare të OSBE, që e ndihmon Berishën sa herë ka nevojë të manipulojë zgjedhjet. Por Berisha në intervistën e dhënë për Vizion Plus para ca kohësh tha tekstualisht: Jo nuk do ta ndërtojë (studio austriake). Ajo firmë që fitoi nuk mund ta ndërtojë se kërkoi tek 10% e investimit. Do jetë firma e dytë dhe ajo ka pranuar një çmim standard mesatar të projektit të zbatimit.

Lexojeni më vëmendje, thotë firma e dytë do jetë fituese. Megjithatë as firma e dytë nuk u shpall fituese, por u vendos të mblidhej Komiteti Shtetëror për të gjetur një fitues. Një cirk i vërtetë. Njoftimi për mediat ishte bërë që dje. Ndërkohë sot Berisha u shfaq i nxirë në fytyrë në mbledhjen e Komitetit Shtetëror dhe tha se paratë nuk e trembin atë për të lënë në fuqi projektin fitues të studios austriake. Nuk gjej një motiv solid që të mos e respektojmë vendimin e jurisë, tha Berisha. Ai motivi solid quhet para, por për Berishën ky nocion nuk ka vlerë ndoshta. Kjo e tërboi Ministrin e Financave.

Por është mësuar me këto qëndrime të kryeministrit.

Nuk shkon të dalim mbi zotërit e vlerësimit të këtyre projekteve. Ata vlerësuan projektin austriak dhe unë me gjithë dhimbjen që ndjej për çdo qindarkë të këtij buxheti, nuk e gjej veten se mund të vendos për një shumë të tillë mosrespektimin e verdiktit të korifejve të arkitekturës evropiane e botërore. I zgjodhëm, duhet ti respektojmë. Kjo është dhe merita, ky është parimi, nuk është një shumë kaq domethënëse sa të na imponojë ne të përmbysim vendimet e një jurie. Shuma është 2.5 milion euro, pak më shumë ose më pak, tha Berisha.

Topalli, Basha, Patozi, Olldashi e të tjerë heshtën dhe rrinin të skuqur si nxënësit e partisë në mbledhjen e Byrosë. U tentua me gjysma fjalish të thuhet se mund të shtyhet vendimi, por i plotfuqishmi u hodhi një shikim. Pastaj për pesë minuta vendimi u hodh në votim.

Madje për ta bërë akoma më qesharake, Berisha tha se ai është kryeministër dhe nuk mund të jetë vetë vali dhe vetë kadi. Në fakt është ashtu. Ngritën duart pa bërë shumë zë, ndërsa Berisha lëshoi një gjysëm fjalie se qeveria do e përkrahë fuqishëm projektin austriak.

Çfarë ka ndodhur që Berisha ndryshon mendje kaq shpejt dhe rrëzon gjërat që thotë vetë? Vetëm një njeri i kapur ndryshon mendje brenda ditës për një vendim të rëndësishëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›