Topalli heq Presidencën nga faqja e Kuvendit
Kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka hequr nga lidhja e institucioneve qendrore të shtetit në Shqipëri, Presidentin e Republikës. Një vështrim i shpejtë në faqen e parë të faqes online të Kuvendit, të tregon se çfarë ka ndodhur. Në anën e majtë poshtë rubrikës “links” (lidhje) dhe që duhet të të lidhë me institucionet qendrore të vendit, janë Këshilli i Ministrave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Qendra e Publikimeve Zyrtare dhe Gjykata Kushtetuese. Pra nuk mungojnë KQZ-ja që merret me menaxhimin e zgjedhjeve dhe QPZ-ja që bën publikimin e Fletoreve Zyrtare, por nuk është lidhja me Presidentin e Republikës.
Ndryshimi është bërë kohët e fundit, pasi parlamentit iu dhurua një fytyrë e re online, ku nuk mungojnë polifotot pa fund të kryetares së Kuvendit, brenda dhe jashtë shtetit, takimet e shumta dhe fjalimet e saj. Ndryshimi i bërë është vijimi i një politike të hapur përjashtuese për kreun e shtetit, i cili u shpall i padëshiruar prej vitit të parë që mori postin e kreut të shtetit, pas fërkimeve me PD-në për dekretet dhe emërimet që janë në kompetencë të kreu të shtetit, ndërsa heqja e tij edhe nga faqet elektronike është vazhdimi i fushatës për heqjen e portreteve të tij edhe nga zyrat e institucioneve ku drejtojnë demokratët./shqiptarja.com