SHIK-u zyrtarizohet në PDK!

Përbërja e re e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike, ka zyrtarizuar në krye të partisë aktualisht më të madhe në vend, ish-agjentët e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Në krye të këtij Këshilli janë përzgjedhur shumë personalitete që publikisht e kanë pranuar se kanë qenë agjentë të SHIK-ut, por janë edhe shumë të tjerë që e mohojnë punën e tyre në këtë organizatë, por që janë akuzuar dhe komentuar disa herë si të afërt me Shërbimin Informativ të Kosovës.
Në listën prej 150 anëtarëve të Këshillit, të paktën 20 prej tyre identifikohen si ish-pjesëtarë të SHIK-ut. Edhe zyrtarë brenda vetë PDK-së , nuk e mohojnë tendencën e strukturave të larta që pikërisht këta pjesëtarë të kenë rol kyç në drejtimin e partisë.
“Ka qenë edhe vetë synimi i lidershipit të partisë që të futen sa më shumë ish-anëtarë të SHIK-ut në Këshill Drejtues”, ka thënë ky burim për gazetën “Tribuna Shqiptare”, në kushtet anonimiteti.
Kadri Veseli, Elmi Reçica, Latif Gashi, Fatmir Xhelili, janë udhëheqës të vetë-deklaruara të ish-Shërbimit Inteligjent të Kosovës, të cilët janë ranguar lartë në Këshillin Drejtues të PDK-së, këtu nuk mungon as emri i Bekim Haxhiu i njohur si “Kamishi” i cili është renditur në vendin e 32-të.
Partia që është deklaruar si e djathë në mesin e 20 personave me më së shumti vota në Këshill, ka të paktën edhe dy zyrtarë që janë përfolur si pjesë e SHIK-ut, por që e kanë mohuar një gjë të tillë publikisht. Adem Grabovci e Azem Syla gjithmonë janë përfolur si pjesëtarë të SHIK-ut, por vazhdimisht e kanë mohuar një gjë të tillë. /Indeksonline/