SHIK’u fajtor
Gani Gecit, ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, s`ka kush që ia heq nga mendja se çdo gjë që publikohet kundër tij, është e fabrikuar nga ish-Shërbimi Informativ i Kosovës.
Madje ai është shumë i bindur se edhe në raportin e fundit të publikuar nga Wikileaksi, ku ish-ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kaidanow, e cila atë e cilëson si “bandit”, ka gisht SHIK-u.
Në kabllogramin diplomatik të publikuar nga Wikileaksi, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë është përshkruar si njëri i dhunshëm.
Por ish-deputeti Geci, në një rrëfim për Express, thotë se këtë epitet e ka “bakshish nga njerëzit e SHIK-ut”, për të cilët beson se tashmë janë të akuzuar për krime të ndryshme.
“Këtë ma kanë bërë njerëzit e PDK-së gjegjësisht të SHIK-ut dhe një pjesë e LDK-së”, thotë Gani Geci.
Ai thotë se në kabllogram përmendet rrahja e ish-kryetarit të Komisionit për buxhet të Kuvendit të Kosovës, Gani Kocit, e që sipas Gani Gecit, nuk e ka bërë kurrë, e madje nuk ishte as deputet në atë mandat.
“Gani Kocin unë e kam dajë dhe kam raporte shumë të mira me të. Unë nuk isha deputet në kohën kur flitet për rrahjen e tij”, thotë ish-deputeti Gani Geci.
Ai sqaron se me zyrtarë amerikanë ka takime të rregullta javore, por nuk tregon se me kënd apo për çfarë takohet.
“Unë nuk jam spiun i asnjë ambasade, unë nuk i spiunoj shokët, unë çka flas, flas publikisht”, thotë Geci.
Anëtari i LDD-së tregon se ka një bashkëpunim të mirë me amerikanët në Kosovë. Për të qenë më bindës, ai thotë se në vitin 2001, familja e tij është nderuar me mirënjohje nga ish-Zyra amerikane (tani ambasadë) për kontribut në luftë dhe paqe.
“Përveç kësaj, në tetor të vitit 2010, në Bonsteel është ngritur flamuri amerikan për mua, për kontributin që kemi dhënë si familje”, tregon ai.
Ndërkohë, në raportin e Wikileaksit thuhet se LDD-ja u krijua pas Kuvendit katastrofal zgjedhor të LDK-së në vitin 2006, kur ish-kryetari i Kuvendit dhe një nga zyrtarët në të lartë të LDK-së, Nexhat Daci e humbi garën zgjedhore për partinë, në përballje me Fatmir Sejdiun. “Daci, që fitoi reputacion si kryekuvendar i vështirë dhe autoritar, e formoi më 2007 LDD-në me disa mbështetës besnikë”, thuhet në kabllogramin diplomatik amerikan. Aty thuhet se duke kërkuar vota nga votuesit tradicionalë të LDK-së që ishin të pakënaqur për koalicionin me AAK-në, Daci e dërgoi LDD-në drejt vendit të katërt në zgjedhjet e vitit 2007.
“Partia, e formuar më shumë nga inati sesa nga parime të dukshme politike, duket se ekziston vetëm për të penguar estabilishmentin politik në Prishtinë. 10 deputetët e saj, një rreshtim i mbetjeve të patalentuara të LDK-së, janë zakonisht përkrahës të besueshëm, nëse jo të zjarrtë të makinacioneve ditore parlamentare të AAK-së”, thuhet në kabllogramin diplomatik amerikan, të dërguar nga Ambasada amerikane në Prishtinë për Departamentin amerikan të Shtetit.
“Një shembull aktual i cektësisë së kësaj partie mund të shihet edhe në shamatën që po zhvillohet se cila parti do të udhëheqë me Komisionin e ri parlamentar të inteligjencës. Komiteti duhet të udhëhiqet nga opozita dhe LDD-ja është e para që mund ta ketë. Por, kandidati “më i mirë”, që LDD-ja mundi ta propozojë, ishte një deputet bandit, Gani Geci, i njohur për të keq kur gjuajti karrige në Kuvendin e LDK-së dhe që rrahu me grushte kryetarin e Komisionit për buxhetin në ndërtesën e Kuvendit”, thuhet më tej në këto dokumente sekrete të publikuara nga WikiLekasi. Aty tregohet se anëtarët e mundshëm të këtij komisioni nga partitë e tjera refuzojnë ta pranojnë Gani Gecin si kryetar të këtij komisioni dhe e kanë lënë pezull krijimin e tij. “Kryetar i Grupit parlamentar të LDD-së (Lulzim Zeneli v.j.) javën e kaluar bëri thirrje për tejkalimin e krizës dhe ishte e qartë se kishte frikë nga konfrontimi me deputetin e partisë së tij (Gecin v.j.)”, shkruan ndër të tjera në këtë kabllogram.